Kievi: Lufta mund të përfundojë para se të çlirohen territoret. Papa shpreh gatishmërinë e Vatikanit për të negociuar paqen

Nga A2 CNN
18 Nëntor 2022, 16:08 | Bota
Kievi: Lufta mund të përfundojë para se të çlirohen

Lufta mund të përfundojë përpara se Ukraina të çlirojë të gjitha territoret me mjete ushtarake”. Kështu ka deklaruar këshilltari presidencial ukrainas, Mykhailo Podolyak, në një konferencë me gazetarët, duke komentuar deklaratën e Shefit të Shtabit të SHBA-së, Mark Milley. Ky i fundit deklaroi se gjasat për çlirimin ushtarak të të gjitha territoreve të pushtuara nga Rusia, përfshirë Krimenë, janë shumë të ulëta.

Sipas këshilltarit presidencial, nëse ushtria ruse humbet një qytet të madh, për shembull, Luhansk, i cili është pushtuar për tetë vjet dhe është gjithashtu një simbol për Moskën, kjo do të çojë në procese të pakthyeshme midis elitës politike të Federatës Ruse dhe shoqërisë.

"Dhe në këtë mënyrë, lufta mund të përfundojë edhe para se të çlirohen të gjitha territoret e pushtuara me mjete ushtarake. Sepse nëse një qytet i madh çlirohet, Rusia do ta ketë humbur luftën," tha Podolyak.

Ndërkohë presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, përmendi nevojën për të ringjallur negociatat midis Moskës dhe Kievit gjatë një bisede telefonike me homologun e tij rus, Vladimir Putin, në të cilën ai tha se zgjatja e luftës në Ukrainë mbart shumë rreziqe.

Po kështu edhe Papa Françesku në një intervistë për “La Stampa” në prag të vizitës së tij në Asti, pohon se paqja në Ukrainë "është e mundur". Ai konfirmoi gatishmërinë e Vatikanit për të ndërmjetësuar dhe për t'i dhënë fund konfliktit në Ukrainë.

“Ne të gjithë duhet të angazhohemi për të çmilitarizuar zemrat. Të gjithë duhet të jemi pacifistë. Ne duam paqen, jo vetëm një armëpushim, që ndoshta shërben vetëm për t'u riarmatosur".

Edhe presidenti francez, Emmanuel Macron, u ka bërë thirrje vendeve të Azi-Paqësorit për t'iu bashkuar "konsensusit në rritje" kundër luftës në Ukrainë, duke nënvizuar se ky konflikt është edhe "problemi i tyre". "Prioriteti numër një i Francës, nënvizoi ai në samitin e APEC, është të kontribuojë për paqen në Ukrainë dhe të përpiqet të ketë një dinamikë globale për të ushtruar presion mbi Rusinë". Ne duhet "të punojmë ngushtë me Kinën, Indinë, të gjitha rajonet, Lindjen e Mesme, Afrikën, Amerikën Latine”, përfundoi ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos