Kim i kërkoi Bashës të distancohen nga Berisha, reagon ish-kryeministri: Fyese për çdo demokrat

Nga A2 CNN
30 Korrik 2021, 16:46 | Politikë
Kim i kërkoi Bashës të distancohen nga Berisha, reagon

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar menjëherë pas deklaratës së ambasadores amerikane, ku përcillte mesazhin për Partinë Demokratike që të distancohej nga Sali Berisha. Në një postim të gjatë në Facebook, Berisha e cilëson fyese për çdo demokrat deklaratën e diplomates amerikane dhe dhunim flagrant të misionit të saj. Sipas tij, deklarata e ambasadores së PD-së nuk mund të hajë bar është një fyerje për shqiptarët që këto shprehje i kanë dëgjuar në diktaturë, si edhe raciste albanofobe.

Duke shprehur bindjen se ky vendimi është një abuzim i pastër me ligjin e Kongresit të SHBA, dhe që sipas Berishës po përdoret si armë kundër kundërshtarëve të Soros, ai kërkon transparencë nga sekretari Blinken dhe ambasadorja Kim.

https://a2news.com/2021/07/30/yuri-kim-kerkese-bashes-berisha-jashte-pd-nje-parti-smund-te-haje-bar-per-hir-te-nje-njeriu/

Reagimi i plotë i Sali Berishës:

Njoftim shtypi

Sot ambasadorja e SHBA Yuri Kim, me një deklaratë fyese për çdo demokrat dhe shqiptar duke iu përmendur barin, ne dhunim flagrant të misionit të saj, i kërkoi Kryetarit të PD që Sali Berisha të mos futet në parlamentin e ardhshëm. Lidhur me keto deklaroj sa vijon:

Asnjë shpifje, trillim apo sajim nuk mund te pengoje kurrë Sali Berishën të përmbushë misionin e tij të besuar nga zgjedhësit shqiptar ne mbrojtje te interesit kombëtar dhe publik të shqiptareve.

Që nga data 19 maj 2021 dhe deri sot pas vendimit të Sekretarit Blinken, të bazuar në lobimin korruptiv të Edi Ramës dhe George Soros, armik i demokracisë së shqiptarëve dhe shpifjet e tyre, unë i kam kërkuar dhe i kërkoj Sekretarit Blinken të publikojë çdo fakt, dokument apo provë që ai ose kushdo tjetër mbi tokë disponon për të faktuar ato që ka shkruar në vendimin e tij. Por deri sot nuk është publikuar asnjë provë dokument apo fakt vetëm e vetëm se ato nuk ekzistojnë. Për të gjitha këto unë kam njoftuar se kam paditur Sekretarin Blinken për shpifje në Gjykatën Korreksionale të Parisit.

Deri sot Departamenti i Shtetit me zëdhënësin e tij ka informuar se Sekretari Blinken vendimin e ka te bazuar ne raporte te NGO lokale, rajonale dhe ndërkombëtare, raportet e mediave dhe raportet investigative antikorrupsion të qeverisë shqiptare.

Domethënë vendimi i Sekretarit Blinken është bazuar në raportet e armiqve të mi, NGO të kontrolluara nga George Soros dhe raportet e mediave të kontrolluara nga qeveria dhe raportet sekrete të Edvin Ramës të pa publikuara kurrë në Shqipëri.

Duke shprehur bindjen se vendimi është një abuzim i pastër me ligjin e Kongresit të SHBA, përdorimin e tij si armë kundër kundërshtarëve politikë të multimilardierit George Soros dhe mikut të tij të ngushtë Edi Rama, unë pavarësisht nga këto përsëri ftoj Sekretarin Blinken t’i bëjë të gjithçka publike.

Përveç këtyre e ftoj Sekretarin e Shtetit të ndikojë tek Edi Rama që të votojmë në parlament ligjin e vetingut të politikanëve.

Unë dua t’i rikujtoj Zonjës ambasadore se ke gabuar rëndë me barin që iu përmende demokratëve. Në këtë kontekst shprehja juaj se PD nuk mund të hajë bar është një fyerje për çdo demokrat dhe për çdo shqiptar të cilët citate të ngjashme i kanë dëgjuar vetëm në diktaturë apo nga raciste albanofobe.

Se fundi, nuk e di nëse takimi i sotëm i Zj ambasadore Kim ka ndonjë nxitje nga denoncimi im i marrëveshjes së dyshimtë që u njoftua se u arrit në prani dhe me nxitjen tuaj midis Kryetares së KLGJ, Llagami dhe Institut East West që sipas burimeve amerikane drejtohet nga Delina Fico. Duke ju kërkuar mundësisht të bëni transparente këtë marrëveshje ju siguroj se sikundër deri sot do të denoncoj çdo aferë të dyshimte nga cilido dhe pa asnjë hezitim.

Shqiptaret janë njerëz të lirë dhe me dinjitet që nuk meritojnë bar, por transparence! sb (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos