
Më shumë vende rreth botës po kërkojnë që të ardhurit nga Kina t’u nënshtrohen testeve të Covid-19, pak ditë para se vendi të heqë dorë nga kontrollet kufitare dhe të lejojë popullsinë t’i rikthehet udhëtimeve të shumëpritura pa kufizime, pas 3 vitesh izolim.
Nga e diela, Kina do të shfuqizojë masën që u kërkon udhëtarëve të karantinohen, teksa heq dorë gradualisht nga regjimi “zero Covid”, pas protestave historike të muajit të kaluar.
Greqia, Gjermania dhe Suedia iu bashkuan të enjten më shumë se 10 vendeve që kërkojnë teste Covid për udhëtarët kinezë, pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë i drejtoi një kritikë të rrallë Pekinit, për mosraportim të të dhënave reale të infektimeve e vdekjeve. Autoritetet kineze dhe media shtetërore mbrojtën menaxhimin e pandemisë, zhvlerësuan seriozitetin e situatës dhe denoncuan masat e huaja për shtetasit e tyre.
Mao Ning, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme, u shpreh: “Nuk duhet të ketë praktika diskriminuese, e aq më tepër manipulime politike. Në përgjigje të marrjes së masave të paarsyeshme nga disa vende kundrejt qytetarëve tanë, Kina do të përgjigjet sipas parimit të reciprocitetit”.
Media kineze Global Times tha në një editorial se Perëndimi nuk do të jetë kurrë i kënaqur, pavarësisht hapave që ndërmerr Kina. Industria e aviacionit global, e goditur nga vitet e kufizimeve të pandemisë, ka kritikuar gjithashtu vendimin për të rikthyer testimet për udhëtarët nga Kina.
Kina raportoi 5 vdekje të reja nga koronavirusi në 24 orët e fundit, duke e çuar totalin zyrtar në mbi 5200 viktima, një prej shifrave më të ulëta në botë. Por, bilanci duket të jetë në kontrast me realitetin në terren, ku shtëpitë funerale po i shterojnë kapacitetet dhe spitalet janë të mbushur me pacientë të moshuar në respiratorë. Ekspertët ndërkombëtarë besojnë se viktimat mund të arrijnë në më shumë se 1 milion këtë vit. (A2 Televizion)