
Nga Kina vijnë gjithmonë lajme për ndërtime madhështore, por projekti që metropoli Chengdu mendon të realizojë brenda vitit 2020 kalon çdo imagjinatë.
Sipas mediave kineze, shkencëtarët e Institutit të kërkimit shkencor të qytetit me më shumë se 14 milionë banorë mund të kenë vite që punojnë, në mënyrë sekrete, në projektimin e një sateliti reflektues që si një hënë e dytë mund të ndriçojë një hapësirë me diametër 10 deri në 80 kilometra, dhe me një fuqi deri në tetë herë më të madhe se hëna e vërtetë.
Detaje të mëtejshme të projektit nuk bëhen ende të ditur, por drejtori i Institutit, Wu Chunfeng, deklaroi publikisht në një konferencë ndërkombëtare që sateliti, që si një pasqyrë e madhe do të reflektojë dritën e diellit gjatë natës, brenda vitit 2022 mund të zëvendësojë ndriçimin publik, duke gjeneruar një përfitim ekonomik që kalon 170 milion dollarët në vit.
Në vitet ’90, Rusia tentoi një eksperiment të tillë, por projekti i quajtur Znamya nuk pati rezultate konkrete. Projekti i hënës artificiale mund të futet në kuadrin e ambicies të autoriteteve kineze dhe liderit të saj Xi Jinping për të arritur rezultatet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë në fushën e teknologjisë dhe misioneve në kosmos.
(A2 Televizion)