
Popullsia kineze ka rënë për herë të parë në 60 vjet, një gur themel i ri në krizën demografike të vendit, me ndikim serioz në ekonominë në ngadalësim.
Popullsia ra në 1.411 miliardë banorë në 2022-shin, 850 mijë më pak krahasuar me një vit më parë. Niveli kombëtar i lindshmërisë ka prekur një rekord të ulët – 6.77 lindje për 1 mijë persona ndërsa në 2021-shin ishte 7.52.
Niveli i lindshmërisë në Kinë ka rënë për vite me radhë, nxitur nga një sërë politikash që synonin ngadalësimin e trendit. Por 7 vite pasi shfuqizoi politikën që lejonte lindjen e vetëm një fëmije, vendi ka hyrë në atë që një zyrtar e përkufizoi si “epoka e rritjes negative të popullsisë”.
Shkak sipas ekspertëve, është bërë papunësia e lartë tek të rinjtë dhe të ardhurat e ulta.
“Nuk mendoj se mund të zgjidhet gjë duke lejuar qytetarët të kenë një fëmijë të dytë ose të tretë. Pikë së pari, mendoj se kostoja për rritjen e një fëmije është tani shumë më i lartë; që kur janë të vegjël, kur shkojnë në shkollë e më pas kërkojnë për një punë apo martohen. Nuk kemi asnjë plan të bëjmë fëmijë të dytë”, thotë një qytetar kinez.
Për krahasim, në Shtetet e Bashkuara u regjistruan 11.06 lindje për 1 mijë persona në vitin 2021 ndërsa në Britaninë e Madhe 10.08 lindje. Niveli i lindshmërisë për të njëjtin vit në Indi, vend që pritet të tejkalojë Kinën si vendi më i populluar në botë ishte 16.42.
Gjithashtu, vdekjet i tejkaluan lindjet në kinë për herë të parë, vitin e kaluar. Të dhënat e reja vijnë së bashku me njoftimin se Kina ka pasur një prej performancave më të këqija ekonomike në gati gjysmëshekulli, duke shënuar një rritje prej vetëm 3 përqind, shumë më pak nga çfarë synonte qeveria. (A2 Televizion)