
Korrupsioni e bën Shqipërinë një vend të vështirë për të bërë biznes. Është ky konkluzioni I raportit të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit. Duke analizuar klimën e investimeve në vendin tonë, DASH përcjell shqetësimet dhe problemet që hasin investitorët amerikanë që operojnë në Shqipëri.
Sipas tyre, korrupsioni është një fenomen i zakonshëm, veçanërisht në sistemin gjyqësor dhe në fushën e tenderëve. Njëkohësisht raporti evidenton përdorimin e lartë të Partneritetit Publik-Privat, si një praktikë shqetësuese që po dëmton konkurrencën.
Klima e investimeve në Shqipëri rëndohet gjithashtu nga probleme të vjetra që nuk marrin zgjidhje si pronësia mbi tokën, lejet e ndërtimit, pagesa e taksave, zbatimi i kontratave, etj.
Ndërkohë, përkeqësimi i renditjes së Shqipërisë në indeksin e Transparency International dhe atë të të “Bërit Biznes” të Bankës Botërore tregon se vendi ka mbetur shumë pas në zbatimin e reformave që do të përmirësonin klimën e investimeve. Korrupsioni është një ndër faktorët që në një reaksion zinxhir shkakton më pas edhe kosto të larta për buxhetin e shtetit. Kjo pasi shumë mosmarrëveshje mes shtetit shqiptar dhe kompanive të huaja përfundojnë në arbitrazh dhe Shqipëria detyrohet të paguajë fatura të kripura, siç është rasti I fundit me kompaninë greke Aktor për rrugën Tiranë Elbasan. Kujtojmë që kompania greke do të dëmshpërblehet me 44 milionë euro nga paratë e taksapaguesve për shkelje të kontratës nga qeveria shqiptare për mospagim të punëve shtesë në rrugën Tiranë-Elbasan.
Investimet e huaja arritën vitin e kaluar vlerën e 1 miliardë eurove për shkak të dy projekteve madhore: gazsjellësit TAP dhe hidrocentralit të Devollit. këtë vit, ndikimi I tyre në ekonominë e vendit dhe buxhetin e shtetit ka përfunduar dhe qeveria nuk ka ende projekte të tjera për të zëvendësuar. (A2 Televizion)