20 mijë euro për pasaportë! Zbulohet laboratori i falsifikimit të dokumenteve, arrestohen babë e bir

Nga A2 CNN
5 Korrik 2025, 11:19 | Kronikë

20 mijë euro për pasaportë! Zbulohet laboratori i falsifikimit

Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona, babë e bir, të cilët kishin ngritur një laborator për falsifikimin e dokumenteve të ndryshim me qëllim dhënien e ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit, raporton A2 CNN. Policia tha se gjatë operacionit ka sekuestruar dokumente të dyshuara të falsifikuara dhe sende të tjera të kundërligjshme që shërbenin për ushtrimin e kësaj veprimtarie kriminale.

Në pranga ranë Ylli Brahimaj dhe Pjerin Brahimaj, ndërsa një bashkëpunëtori i tyre është proceduar penalisht.

“Seksioni i Hetimit të Trafiqeve të Paligjshme, nën drejtimin e Prokurorisë, si rezultat i një hetimi 7-mujor të ndjekur me metoda speciale, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Identiteti”. Si rezultat i tij u arrestuan shtetasit Y. B., 65 vjeç, aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, dhënë nga SPAK, dhe P. B., 45 vjeç (babë e bir), si dhe u procedua penalisht shtetasi Sh. L., 62 vjeç, i cili dyshohet si bashkëpunëtor i dy të arrestuarve. Gjatë kontrollit të banesës, shërbimet e Policisë zbuluan një ambient të fshehtë, të kthyer në laborator për prodhimin dhe falsifikimin e dokumenteve të ndryshme dhe pasaportave”, tha policia.

Nga hetimet ka rezultuar se prodhimi i një pasaporte të falsifikuar me shtetësi të huaj arrinte në vlerat nga 15 000 deri në 20 000 euro. Këto pasaporta dyshohet se përdoreshin për kalimin e paligjshëm drejt vendeve të Bashkimit Evropian ose SHBA.

Po punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos