Klinton dhe lidhja me shqiptarët, Ish-Presidenti që ndali luftën në Kosovë

Nga A2 CNN
3 Korrik 2023, 15:43 | Bota
Klinton dhe lidhja me shqiptarët, Ish-Presidenti që ndali luftën

“Do të jem gjithmonë krenar për faktin se kam qenë President i Shteteve të Bashkuara në kohën kur juve ju duhej dikush që do të qëndronte kundër spastrimit etnik, dëbimit të njerëzve nga shtëpitë e tyre”.

Me këto fjalë, ish-Presidenti amerikan, Bill Clinton iu drejtua 4 vite më parë, popullit që ë nderon si hero për kontributin në çlirimin e Kosovës.

Teksa u dekorua me urdhërinë e lirisë, nga atëherë Presidenti Hashim Thaci për rolin vendimtarë në fushatën bombarduese të NATO, që i dha fund luftës në Kosovë, Klinton dëshmoi së lidhja e tij me shqiptarët, dhe Kosovën mbetej e fortë, ashtu si edhe vlerësimi i popullit shqiptar për të. 

Një histori dashurie, të cilën e ndjen lehtësisht në rrugët e Prishtinës, ku një bulevard mban emrin e tij, e po ashtu një statujë me përmasa njerëzore e me krahët e hapur ngre në piedestal ish-Presidentin Klinton.

Kontributi i Klintonit në rajon shtrihet përtej Kosovës. Edhe pse nuk e ndreqi dot Ballkanin, siç pohojnë disa analistë, gjatë udhëheqjes së tij u përfshi gjithmonë e më shumë në çështjet e rajonit, fillimisht me fokus tek Bosnje-Hercegovina.

Ai u bëri presion aleatëve perëndimor për ndërmarrjen e masave të forta kundër serbëve gjatë luftës në Bosnjë. Në 1999, pa mbështetjen e Këshillit të Sigurimit dhe duke anashkaluar kongresin amerikan, atëherë presidenti Klinton mbështeti bombardimet ajrore të NATO-s kundër pozicioneve të ushtrisë serbe, për të ndalur vrasjen e shqiptarëve etnikë.

I lindur në vitin 1946 në Arkansas, me emrin William Jefferson Blythe III, ai shërbeu si presidenti i 42 i Shteteve të Bashkuara nga  viti 1993 deri në 2001-n. Edhe pse presidenca e tij u shënjua nga skandali seksual me sekretare Monika Levinski, ai mbetet mes liderëve më popullorë të Shteteve të Bashkuara.

Gjatë udhëheqjes së tij, Amerika shijoi një epokë paqeje dhe prosperiteti, e shënjuar nga papunësia e ulët, rënia e nivelit të kriminalitetit dhe suficiti buxhetor. Pas largimit nga shtëpia e bardhe mbetet aktiv në jetë publike, duke themeluar një fondacion për luftimin e varfërisë, sëmundjeve dhe problemeve të tjera globale. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/07/02/vizita-e-bill-klinton-ne-shqiperi-zbardhen-detaje-nga-agjenda/

A2 CNN Livestream

Latest Videos