Kodër Vila në Durrës, nga kurorë e gjelbër, tani rrezikon katastrofën

Nga A2 CNN
22 Shtator 2019, 19:29 | Aktualitet
Kodër Vila në Durrës, nga kurorë e gjelbër, tani

E vetmja zonë e gjelbër në Durrës, e emërtuar si “mushkëria e qytetit, Kodër Vila, po shkon drejtë shpyllëzimit.

Prerja pa kriter e pemëve të larta, të mbjella në të rreth 70 vite më pare dhe hapja rrugë e ndërtimeve të reja rrezikojnë t’i rikthejnë problemin e erozionit. Në të janë lejuar të ndërtohen shtëpi në shpate të paqëndrueshme, në kodrën ku ndodhet vila e ish-mbretit Zog.

Qytetarët durrsakë kujtojnë bukurinë e kodrës, kur e gjithë zona ishte një park i bukur dhe vend argëtimi, ndërsa shprehen se ndryshimet në dendësinë e pemëve janë të dukshme, e theksuar kjo përgjatë viteve të demokracisë, ndërsa i bëjnë thirrje pushtetit vendor që ta ndalë këtë masakër që po i bëhet Kodër Vilës.

“Për të gjithë banorët është shqetësuese. Pa gjelbërim nuk ka jetë. Më parë ka qenë shumë bukur, por tashmë i kanë prerë. Kjo është pikë turistike. Çdo ditë e vizitojnë shumë të huaj”, shprehen banorët.

Profesor Adem Hyseni, gjeolog në pension dhe ish-profesor në Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave, ngre alarmin për situatën e krijuar, ndërsa bën përgjegjës instancat vendore dhe qendrore për mosadministrim të saktë dhe abuzim me lejimin e ndërtimeve mbi një sipërfaqe që njihet për përbërjen e saj argjilore.

“Kjo u dëmtua në mënyrën më të keqe nga ndërtimet pa kritere. Është krijuar në një copë tokë tërë ajo ngarkesë statike, tërë ato pallate. Është një zonë e rrezikshme, është e mbingarkuar. Mua nëse do të ma falnin një hyrje, do t’u thosha – faleminderit, nuk e marr”, shprehet gjeologu.

Parku i dikurshëm që ka shërbyer si kurorë e gjelbër për qytetin e Durrësit rrezikon si asnjëherë tjetër shkarjet masive të dheut. Situata e krijuar ka dhënë sinjale të forta se struktura e brishtë argjilore mund të sjellë një katastrofë të vërtetë jo vetëm natyrore.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos