Pavarësisht ngutit në Këshillin Politik, duket se amendamentet në Kodin Zgjedhor do të duhet të presin. Kjo për shkak se pa mbaruar procedura për ndryshimet në Kushtetutë të propozuara nga opozita parlamentare, mazhoranca ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të nisë asnjë procedurë për të ndërhyrë në Kodin Zgjedhor.
30 korriku është data e caktuar për të votuar në seancë propozimin e opozitës për ndryshime kushtetuese. Nëse do të lejohen listat e hapura të kandidatëve për deputetë, do të hiqen koalicionet parazgjedhore apo do të rritet pragu elektoral në 5%, do të zbulohet që në mes të këtij muaji. Dakordësinë apo kundërshtinë për këto ndërhyrje, mazhoranca do ta njoftojë nëpërmjet raportit të përbashkët të Këshillit të Legjislacionit dhe Komisionit të Ligjeve. Por, ndërhyrja në Kushtetutë automatikisht kërkon ndërhyrje në Kod. Si dhe sa, Ulsi Manja kërkoi t’ia sqaronin ekspertët e angazhuar nga Kuvendi për këto ndryshime.
Burime nga mazhoranca pohojnë se për Kodin e dakordësuar me opozitën jashtëparlamentare, mund të ketë seanca të posaçme në gusht, apo dhe shtator. Pjesa e dakordësuar nuk do të preket. Por, duke qenë se Kushtetuta mund të preket, ajo mund të përfshijë dhe të tjera gjëra që nuk kanë lidhje vetëm me sistemin zgjedhor.
Më 31 korrik skadon mandati i komisionit hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Sipas të gjitha gjasave, ai do t’i shpëtojë këtij shkarkimi, por komisioni do të propozojë ndryshime në Kushtetutë dhe ndryshime të tjera ligjore. (A2 Televizion)