
“Shifrat janë kokëforte, kemi rrije të rasteve, pavarësisht që testimet janë konstante, tek 500. Shtimi i testimeve do të shtonte numrat edhe më shumë”. Është i bindur për këtë Gazmend Koduzi, kreu i Departamentit të Shëndetësisë në Partinë Demokratike.
Por përtej numrave, është menaxhimi i situatës që e shqetëson më shumë.
“Çfarë bën një qytetar kur infektohet? Numri 127 është i mbingarkuar, sepse i referohet Urgjencës Kombëtare dhe nuk është i përgatitur në raste pandemie. Personat që dalin pozitivë, i thuhet të rrinë në shtëpi dhe të zbatojnë protokollin, por ata nuk vizitohen për të përcaktuar gjendjen aktuale. Duhet ekzaminimi përpara se të bëhet mjekimi”, thotë Koduzi, që shton protokolli i menaxhimit të pacientit është i gabuar.
Sipas tij, shtetit shqiptar nuk i mungojnë të gjitha kapacitetet, si ato testuese për shembull.
“Kapacitetet duhet të dyfishohen. Qeveria i ka këto kapacitete, ekziston një laborator tjetër publik si në ISHP që mund të shfrytëzohet, pa marrë parasysh sektorin privat, ku ndarja publik/privat në epidemi nuk duhet të ekzistojë. Pse nuk vepron? Qeveria nuk po shikon në të mirën e qytetarëve, por po tenton të kontrollojë informacionin mbi bilancin, që shpërndahet sipas agjendës”, thotë ai për A2, duke shtuar se mungesa e transparencës shtyn një pjesë të qytetarëve të kenë dyshime dhe si pasojë të mos respektojnë as masat e drejta.
Koduzi bën edhe apel decentralizimin e procesit, që do të mundësonte akses më të madh për të infektuarit nga COVID-19, duke marrë parasysh faktin që me sezonin e vjeshtës do të shtohen virozat, që do ta bëjnë edhe më të vështirë diagnozën diferenciale mes rasteve, ku Qeveria duhet t’ i përgjigjet kësaj situate me trinomin “testim-gjurmim-trajtim”, si dhe me sensibilizim më të madh për vaksinimin ndaj gripit stinor. (A2 Televizion)