Pasardhësi i Liri Belishovës, gjyqtari Çomo kundërshton problemet e gjetura nga KPK

Nga A2 CNN
5 Gusht 2020, 15:42 | Aktualitet
Pasardhësi i Liri Belishovës, gjyqtari Çomo kundërshton

Gjyqtari Petrit Çomo, kryetari në detyrë i Gjykatës së Tiranës, u përball këtë të mërkurë me komisionerët e procesit të vetting-ut. Referuar hetimit administrativ për tre kriteret e vetting-ut, Çomo kishte mospërputhje në deklaratën e pasurisë të vitit 2003 dhe atë të vitit 2012 në lidhje me mënyrën si ishte bërë pronar i një apartamenti në Tiranë. Apartamenti ishte një pallat të ndërtuar në truallin e një godine 2-katëshe, ku familja e gjyqtarit ishte strehuar nga shteti pas vitit 1990.

Mospërputhje dhe mungesë të ardhurash të ligjshme, u pretenduan nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit edhe për automjetin në pronësi të tij, i blerë nga shitja e një tjetër mjeti. Ndërsa një pretendim i ngritur nga Drejtoria për Sigurimin e Informacionit të Klasifikuar për një kontakt të papërshtatshëm të gjyqtarit, u konsiderua si i pa provuar nga gjyqtarët e KPK.

Problemet e konstatuara nga komisioni u kundërshtuan nga Çomo, i cili është pasardhës i Liri Belishovës, ish-anëtare e Byrosë Politike gjatë regjimit monist dhe Maqo Çomos, ish-ministër i Bujqësisë. Çomo tha se çdo e ardhur e tij ishte nga burime të ligjshme. Ai përmendi faktin se babai i tij ishte dëmshpërblyer si i burgosur politik, por se vlerën e kishte depozituar me vonë në bankë, për shkak të rrethanave të kohës.

Po ashtu, ai tha se e ëma ka siguruar të ardhura nga shitja e pronave të trashëguara nga familja e saj. “Prindërit e mi kanë pasur të ardhura nga viti 1944, që nuk janë përfshirë në analizën tuaj për deklarimet e vitit 2003”, tha Çomo, i cili vuri në dukje edhe medaljen e mirënjohjes marrë nga ish-presidenti Alfred Moisiu. Vendimi përfundimtar për të pritet të shpallet të enjten. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos