
Katër ligjvënëset demokrate të sulmuara nga presidenti amerikan, në ato që u konsideruan si komente raciste në Twitter, thanë se Trump po përpiqej të devijonte vëmendjen nga politikat e tij të dështuara. Alexandria Ocasio-Cortez, Ilhan Omar, Ayanna Pressley dhe Rashida Tlaib i bënë thirrje amerikanëve të mos binin pre e lojës së kreut të Shtëpisë së Bardhë.
Pavarësisht se presidenti po përpiqet të na diskriminojë apo heshtë, ju bëjmë me dije se ne jemi më shumë se 4 persona. Ne kemi mandatin të përfaqësojmë përsonat e shpërfillur dhe të lënë pas. Grupi ynë është i madh. Inkurajojmë amerikanët të mos bien pre. Kjo është një përpjekje për të devijuar vëmendjen nga politikat e dështuara mbi emigracionin, kujdesin shëndetësore dhe taksat” , deklaroi Ayanna Pressley.
Presidenti amerikan u tha të dielën kongresmeneve me ngjyrë të kthehen në vendet e origjinës për të ndrequr kriminalitetin atje. Trump, i cili i mohon akuzat për racizëm, nuk i përmendi emrat e grave në postimin në Twitter por konteksti e bëri të qartë lidhjen me 4 demokratët e njohura si ‘skuadra’.
Tre prej tyre kanë lindur në Shtetet e Bashkuara, ndërsa njëra, Ilhan Omar ka lindur në Somali por ka mbërritur në Shtetet e Bashkuara që fëmijë. Gjatë konferencës për shtyp, Omar dhe Tlaib përsëritën thirrjet për impeachment të presidentit Trump.
Gratë u vunë në shënjestër të sulmeve të Trump, pasi kritikuan kushtet në një qendër të ndalimit të emigranteve gjatë një dëshmie në Dhomën e Përfaqësuesve. (A2 Televizion)