
Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, në një intervistë për Merita Haklaj në A2CNN ka komentuar edhe politikat që po ndjek vetë BE sidomos në rajonin tonë.
I pyetur nëse lufta në Ukrainë duket se shërbeu si një kambanë e fortë në BE edhe për të kthyer sytë nga rajoni ynë, duke iu referuar hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Varhelyi tha se ka një vullnet të fortë politik për ta futur sa më shpejt Ballkanin Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Lufta në Ukrainë duket se shërbeu si një kambanë e fortë në BE edhe për të kthyer sytë nga rajoni ynë. Pas shumë vitesh u hapën negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe po bëhet shumë presion ndaj Serbisë dhe Kosovës që të mund të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve të tyre. A tregon kjo që shpesh politikat në BE janë gjeopolitike, janë gjeostrategjike dhe në varësi të asaj çfarë Bashkimit Evropian i leverdis në situata të caktuara dhe jo sipas asaj se çfarë bëjmë ne në rajonin tonë?
Kjo tregon se ka jo vetëm sinqeritet, por edhe një vullnet të fortë politik për ta futur sa më shpejt Ballkanin Perëndimor në Bashkimin Evropian. Por kjo nuk do të thotë se ka ndonjë lëshim apo rrugë të shkurtër në lidhje me kushtet për t’u bërë shtet anëtar. Kështu që nëse dua ta përkthej këtë me perspektivën këtu në Tiranë, sa më shpejt që Tirana të japë rezultate, aq më shpejt mund të bëhet shtet anëtar, sepse nga ana jonë, ashtu siç e thatë edhe ju, kjo ishte një thirrje e qartë për zgjim, madje edhe për ata që kanë qenë skeptikë në lidhje me zgjerimin e mëtejshëm. Është shumë e qartë se pa zgjerim të mëtejshëm siguria, paqja dhe stabiliteti i gjithë kontinentit nuk është i mundur. Prandaj, Bashkimi Evropian ka një interes mjaft egoist për ta pasur Ballkanin Perëndimor në Bashkimin Evropian sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të krijojë siguri, paqe dhe stabilitet afatgjatë për veten.
Po thoni që vendet anëtare të BE duhet t’i besojnë më shumë raporteve të Komisionit Evropian dhe nuk duhet të jenë skeptike në raste të caktuara?
Po, sigurisht. Komisioni është aty për të ofruar një analizë të shëndoshë të nivelit të përgatitjes. Por Komisioni Evropian është aty edhe për të propozuar zgjidhje strategjike, kur të krijohen kushtet e duhura, ashtu siç bëmë vitin e kaluar me statusin e vendit kandidat për Bosnje-Hercegovinën. Mendoj se ky vit do të ketë edhe më shumë zgjidhje strategjike. (A2 Televizion)
Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi