Komisionet pa gazetarë, UGSH dhe ISP i kërkojnë Kuvendit rishikimin e vendimit

Nga A2 CNN
7 Qershor 2021, 17:04 | Aktualitet
Komisionet pa gazetarë, UGSH dhe ISP i kërkojnë Kuvendit

Vendimi i Kuvendit për të mos lejuar median për të ndjekur fizikisht punimet e komisioneve parlamentare ka ngjalluar reagime në shoqërinë civile. 

Kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa i është drejtuar me një kërkesë zyrtare kryeparlamentarit Gramoz Ruçi ku i kërkon informacione mbi këtë vendimmarrje të pakonsultuar. Sipas tij, rrezikohet që media të kalojë në censurë. 

“Kjo është një çështje që meriton të negociohet midis kuvendit dhe grupeve të interesit. Në letrën dërguar kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë kërkojmë specifikimin dhe shprehim rezervat tona për premisa deri në censurë që mund të shfaqet në këtë praktikë. Përmirësimi i të cilave është padyshim shumë i mundshëm. Ne nuk bëjmë komente të tjera”, tha Aleksandër Çipa.

Të njëjtin shqetësim ka edhe Instituti për Studime Politike, i cili prej vitit 2016 është i vetmi organ i shoqërisë civile që monitoron punimet e Kuvendit.

“Instituti i Studimeve Politike (ISP) i bashkohet shqetësimit të reporterëve të medias dhe apelon Kuvendin për rishikimin e këtij vendimi, respektimin e detyrimit ligjor për konsultimet publike, si dhe në tërësi për një qasje të re institucionale lidhur me transparencën, informimin dhe llogaridhënien publike”

Vendimi i Kuvendit erdhi pas vënies në funksion të sistemit Audio-Video për transmetimin online të punimeve të komisioneve i cili kishte nisur implementimin që në vitin 2018.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos