Komisioni i Venecias e cilësoi të pazbatueshme, Krasniqi: Parlamenti të kërkojë falje për paketën antishpifje

Nga A2 CNN
5 Qershor 2020, 20:14 | Aktualitet
Komisioni i Venecias e cilësoi të pazbatueshme, Krasniqi: Parlamenti

Analisti i A2, Afrim Krasniqi, deklaroi në studion e “Ditari” në A2 se ishte i pritshëm qëndrimi i Komisionit të Venecias për ligjin antishpifje, që konsideron se draft-amendamentet e ligjit për shërbimet audiovizive nuk janë gati për zbatim në variantin aktual.

“Dhjetorin e kaluar, ka patur një reagim ndërkombëtar solid me shoqërinë civile, kritik ndaj draftit. Ka pasur edhe hapa jonormalë të institucioneve ndërkombëtare si takime publike, ndarje opinionesh dhe shqetësime duke paralajmëruar qeverinë që rruga e ndjekur nuk është e duhura për një vend që kërkon të jetë anëtar i BE-së. Ka pasur edhe dokumente të shumtë të adresuar Parlamentit me opinione, sidomos nga grupet e shoqërisë civile dhe shoqatat e mediave, ku janë paralajmëruar të gjithë këta elementë dhe asnjë prej tyre nuk është marrë parasysh. Mazhoranca eci me idenë se është një nismë e nevojshme në momentin kur u ndërmor, duke mos llogaritur reagimin e publikut dhe atë ndërkombëtar. Liria e medias, që u vu si kriter nga Parlamenti gjerman dhe BE-ja, është një kusht që ia krijuam vetes në 6 muajt e fundit, ndërkohë që duhet të plotësonim kushte të tjera. Kështu që ishte e pritshme që Komisioni i Venecias të kishte këtë reagim”, tha Krasniqi.

https://a2news.com/2020/06/05/a2-siguron-raportin-e-venecias-qeveria-te-rishikoje-paketen-antishpifje-e-pazbatueshme/

Më tej, analisti thekson: “Në raport thuhet që ligji është i pazbatueshëm në kushtet aktuale në Shqipëri dhe kjo rrëzon të gjithë kështjellën e krijuar nga ata që e nisën këtë projektligj në Parlament. Ky ligj i shpifjes praktikisht ka krijuar gjykata të tjera që quhen Këshilli i Ankesave dhe AMA dhe krijoi polici brenda medias që kishte kompetenca për të vendosur masa ndëshkuese. Këto elementë nuk kanë lidhje me një trajtim serioz të çështjes së medias. Komisioni i Venecias tregoi që e gjithë struktura konsultative e Parlamentit ka qenë fiktive, që struktura e AMA-s nuk ka pavarësinë e duhur dhe autoritetin për të bërë policin e medias dhe ia delegon përgjegjësinë e vendimmarrjes finale vetëm gjykatave, që janë institucioni i vetëm që mund të vendosë për një individ, biznes apo media”.

Krasniqi pati kritika edhe për AMA-n.

“Sot, ka anëtarë të AMA-s që kanë kontrata me media televizive, që do të thotë se kontrollojnë median dhe punojnë te njëri nga pronarët e mediave. Kemi anëtarë të AMA-s që vijnë nga një media televizive dhe me siguri që kur të mbarojnë mandatin do të kthehen prapë te ajo media. Është si një ndeshje futbolli ku njëri ekip cakton edhe gjyqtarin, edhe vëzhguesin e ndeshjes. E kush e garanton që ky institucion është i pavarur? Kjo praktikë ka qenë në të kaluarën dhe është ende aktuale. Komisioni i Venecias e ka pasur lehtësisht të verifikueshme këtë gjë dhe ishte kritikë që pritej. Kemi parë skandale pafund të anëtarëve të AMA-s dhe nuk ka krijuar bazë besimi që mund të krijojë pavarësi”, u shpreh analisti.

Në fund, Krasniqi nënvizoi se “Parlamenti duhet të kërkojë falje publike për koston që i solli vendit me këtë projektligj, pasi e futi kusht për Shqipërinë, dhe të nisë procedurat siç e parashikon ligji me konsultime me grupe interesi dhe ekspertë ndërkombëtarë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos