
“Nuk ishte pandemia e koronavirusit që e vrau George Floyd, por një tjetër pandemi, ajo e racizmit dhe diskriminimit”. Kështu u shpreh Benjamin Crump, përfaqësuesi ligjor i familjes së afro-amerikanit të vrarë nga policia George Floid, në një ceremoni përkujtimore ne Mineapolis.
Guvernatori i Minesotës Tim Waltz, senatorja Amy Klobuchar dhe qindra persona të tjerë morën pjesë në shërbesën ku u mbajt 8 minuta e 46 sekonda heshtje, aq Floid u mbajt i bllokuar nga një efektiv që i vendosi gjunjët në qafë.
“Të gjithë këta njerëz kanë ardhur për të parë vëllain tim. Është e mrekullueshme që ai preku kaq shumë zemra. Të gjithë duam drejtësi për George dhe do ta marrim atë”, deklaroi në ceremoni vëllai i viktimës.
Në një eulogji emocionale, aktivisti dhe kleriku Al Sharpton tha se historia e Floyd jehonte atë të komunitetit me ngjyrë në Shtetet e Bashkuara, ndërsa kërkoi drejtësi për vrasjen e tij.
“Historia e George Floyd është historia e të gjithë personave me ngjyrë, pasi prej 401 vitesh, arsyeja përse ne nuk mund të ishim ata që donim apo ata që ëndërronim të bëheshim, ishte pasi ju keni vendosur gjurin në qafën tonë”, deklaroi Sharpton.
Ceremonia përkujtimore në nder të 46-vjeçarit u mbajtën edhe në qytete të tjera, përfshirë vendlindjen e tij, Karolinën e Veriut. Protestat e nxitura nga vrasje e afro-amerikanit vazhdojnë në shumë shtete amerikane dhe gjithashtu përtej Atlantikut, por ato mbeten tani kryesisht të qeta.
Në reagimin e tij të parë lidhur më çështjen, ish-presidenti amerikan Barak Obama i cilësoi këto si protestat më të thella që kishte para gjatë jetës së tij, duke u kërkuar amerikanëve të shfrytëzojnë momentin për të siguruar ndryshimet e kërkuara. (A2 Televizion)