Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Aeroportin El Prat të Barcelonës, kur prindërit kanë braktisur fëmijën e tyre 10-vjeçar në terminal, pasi zbuluan se pasaporta e tij kishte skaduar dhe nuk kishte vizë për të udhëtuar.
Familja, që po udhëtonte drejt vendit të origjinës, kishte me vete dy fëmijë. Kur u zbulua se njëri prej tyre nuk plotësonte dokumentacionin e nevojshëm, prindërit vendosën të mos humbisnin pushimet dhe hipën në avion vetëm me fëmijën tjetër, duke lënë të voglin në aeroport. Ata kishin njoftuar që dikush nga familjarët do ta merrte, por nuk kishin garanci se kur do të mbërrinte.
Situata u bë virale në rrjetin TikTok, pasi një punonjëse e aeroportit ndau përvojën e saj, e shokuar nga rasti: “Si nënë, jam e tmerruar. Kush lë një fëmijë vetëm në terminal për orë të tëra?”.
Pas sinjalizimit të stafit, Guardia Civil ndërhyri menjëherë dhe arriti të ndalojë prindërit para se të nisej avioni. Ata u shoqëruan në komisariat dhe po hetohen për braktisje të një të mituri.
Në Spanjë, braktisja e fëmijëve konsiderohet vepër penale dhe mund të çojë në dënime të rënda, përfshirë burg. (A2 Televizion)