
Komiteti Teknik i Ekspertëve për pandeminë ka vendosur të mos ndryshojë masat e deritanishme kundër koronavirusit.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, njoftoi se pas analizave është konfirmuar hyrja e variantit britanik të koronavirusit në vendin tonë.
“Nga qytetarët kërkohet të respektojnë masat, në një kohë kur dyshimet e arsyeshme që ne kishim, rezultuan të vërteta. Janë analizuar kampionë dhe rezultatet treguan se kampionët janë të infektuara me variantin e ri Britanik”, u shpreh Manastirliu.
Ndërkohë, pjesë e Komitetit Teknik të Ekspertëve për pandeminë u bënë edhe 3 anëtarë të rinj: Dhimiter Kraja, ish-shefi i Shërbimit Infektiv, Ermira Kola, shefe e Reanimacionit të Pediatrisë në QSUT dhe Alban Ylli, specialist ISHP. Këto ndryshime kanë ardhur pas largimit të Tritan Kalos dhe Najada Çomos. Kalo e njoftoi largimin e tij me një postim në rrjetet sociale, ku akuzoi qeverinë, presidencën dhe opozitën për përçarje të mjekëve në përballimin e pandemisë. Tashmë Komiteti Teknik i Ekspertëve për pandeminë do të ketë 13 anëtarë nga 12 që kishte më herët. (A2 Televizion)