
Presidenti Ilir Meta i ka bërë thirrje deputetëve që të reflektojnë mbi dekretin e presidentit për koncesionin e aeroportit “Nënë Tereza”. Në një konferencë për mediat kreu i shtetit tha se gjasat janë të pakta që dekreti i tij të mos rrëzohet, por u bëri thirrje ligjvënësve që të mos ulin kokën dhe të ngrenë kartonët, meqënëse është kohë listash për zgjedhje.
“Lidhur me këtë sjellje të kuvendit që nuk reflekton ndaj argumentave të presidentit unë bëj detyrën time në emër të institucionit që përfaqësoj. Shpresoj që të ketë reflektim, pavarësisht se gjasat janë të pakta se jemi në prag bërje listash dhe u premtohet të gjithëve të jenë në listë duke ngritur kartonin dhe duke ulur kokën për çështje të interesit publik”.
Për Metën dokumentacioni me 43 faqe është i plotë dhe me argumente ligjore dhe kushtetuese. Sipas tij nëse reforma në drejtësi do të ishte e suksesshme Kuvendi dhe qeveria nuk do kishin guxuar të kryenin shkelje.
“Dokumentacioni është i qartë dhe i plotë. Paralajmërimet janë ligjore dhe pa asnjë diskutim nëse do të kishim patur një reformë në drejtësi të suksesshme kurrë nuk do kishin guxuar të bënin këto gjëra që kanë bërë Qeveria e Kuvendi. Të jeni të sigurt që pas 25 prillit çdo çështje do ndiqet me rigorozitet të plotë. Çdo dëm e shkelje ligjore”.
Duke u bërë thirrje deputetëve që të respektojnë kushtetutën Meta theksoi edhe njëherë qëndrimin e tij se ndryshimi i koncesionit bie ndesh me parimet kushtetuese dhe ligjore
“Dje i përcolla zyrtarisht kuvendit dekretin për ndryshimin e koncesionit të aeroportit Nënë Tereza se bie ndesh me parimet kushtetuese, anashkalon ligjet dhe është provë flagrante e kapjes së shtetit. I bëj thirrje çdo deputetit dhe zyrtari që të reflektojë mbi këtë nismë dhe të respektojë kushtetutën e ligjet e vendit dhe të paralajmëroj që për çdo vepër penale nuk do ketë amnisti vetëm drejtësi. Po u jap mundësinë deputetëve të reflektojnë dhe të ruajnë interesin kombëtar duke kthyer mbrapsht këtë nismë legjislative”.
. (A2 Televizion)