
Vaksinohuni! Me këtë thirrje iu drejtohet adhuruesve, Dj francez, David Guetta, pak para regjistrimit të një koncerti bamirësie jashtë muzeut të Luvrit në Paris, që do do të shfaqet në vigjilje të Vitit të Ri.
Guetta i njohur për bashkëpunimet me artistë si Akon, Nicki Minaj apo Kelly Rowland po grumbullon para për UNICEF dhe një organizatë bamirëse franceze, që siguron ushqim për njerëzit në nevojë.
Dj tha se shpreson për një fund të pandemisë në vitin 2021, dhe për një festë të madhe e të çmendur, sic e cilësoi.
“Dua ti them adhuruesve të mi se do të dëshmojmë festën më të cmendur të vitit. Unë do ta marr vaksinën dhe shpresoj që të gjithë ta bëjnë, pasi nuk shoh asnjë mënyrë tjetër për të dalë nga kjo situatë”, u shpreh ai.
Me mbi 2.57 milionë raste dhe më shumë se 64 mijë viktima, Franca është një prej vendeve më të prekura në Europë dhe në botë nga pandemia. Por, francezët janë mes me skeptikëve në botë sa i përket vaksinës, e sondazhet sugjerojnë se më pak se gjysma e popullsisë ka ndërmend ta marrë atë. Franca nisi programin e imunizimit në masë të dielën, bashkë me shtete të tjera të BE-së.
Koncerti në Paris është pjesë e inciativës bamirëse ''të bashkuar në shtëpi'', të cilën Dj e nisi më herët gjatë këtij viti. Gueta ka mbajtur dy koncerte të ngjashme në vitin 2020, duke grumbulluar rreth 1.5 milionë euro. (A2 Televizion)