
Konfirmohen zyrtarisht bisedimet mes yllit të futbollit, Lionel Messi dhe klubit francez, Paris Saint Germain. Ka qenë agjenti i gjashtë herë kampionit të topit të artë që ka kontaktuar drejtuesit e ekipit kryeqytetas, menjëherë pas zyrtarizimit të divorcit historik nga Barcelona.
Bisedimet kanë arritur një fazë të konsiderueshme dhe ka shumë gjasa për një akord mes palëve. Barcelona njoftoi se Messi do të mbajë një konferencë për shtyp gjatë të dielës, ku nuk përjashtohet mundësia që të flasë për të ardhmen.
Ditëve të kaluara, klubi katalanas njoftoi që Messi, të cilit i skadoi kontrata në korrik, nuk do të jetë më pjesë e ekipit. Ata fajësuan pengesat strukturore dhe financiare për divorcin me lojtarin që ka fituar thuajse gjithçka. Karriera e zhvilluar tek Barcelona për 21 vite e shndërroi Messin në një legjendë, jo vetëm të klubit katalanas, por edhe të futbollit botëror. (A2 Televizion)