Të paktën 600 mijë vetë kanë mbetur pa energji elektrike rreth Ukrainës, pasi një tjetër vale sulmesh me raketa e dronë shkundi vendin gjatë natës. Presidenti ukrainas Volodimi Zelenski tha se infrastrukturë kritike ishte goditur në Kiev e rrethina dhe po ashtu në qytetin lindor të Harkicit, pavarësisht pretendimeve të Trump se një armëpushim energjetik ishte në fuqi mes Rusisë dhe Ukrainës. Në Kiev të paktën 3 persona mbetën të vrarë dhe 21 të tjerë u plagosën. Volodimir Zelenski
“Gjatë kësaj nate, rusët përdorën 39 raketa balistike dhe më shumë se 120 dronë sulmues dhe municione fluturuese kamikaze kundër sektorit tonë energjetik dhe infrastrukturës kritike në Kiev, në rajonin e Kievit dhe në Harkiv. Një sulm balistik rus, i drejtuar posaçërisht kundër sektorit energjetik, për të cilin presidenti i Amerikës kishte përcaktuar armëpushimin. Fatkeqësisht, të paktën 600 mijë njerëz janë aktualisht pa energji elektrike”.
Ministria e Mbrojtjes në Rusia tha se sulmet masive gjatë natës kishin shënjestruar infrastrukturë të komunikimit dhe energjisë në rajonet e Kievit dhe Harkivit, të përdorura nga ushtria ukrainase.
Autoritet në Moskë bënë gjithashtu me dije se 902 dronë ukrainas ishin qëlluar gjatë natës mbi një numër rajonesh, përfshirë Moskën dhe Krimenë.
Pas njoftimit të Trump për armëpushimin Zelenski tha se Ukraina është gati të ndalë sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës por ministri I jashtëm rus, Sergei Lavrov theksoi se Kievi nuk meriton lehtësim. Ai shtoi se, gjatë çdo armëpushimi, Evropa do të kishte mundësinë ta “mbushte Ukrainën me armë të reja”, në mënyrë që ajo të vazhdonte luftën. (A2 Televizion)