Konstatimi i OBSH: Disa trajtime japin rezultat për kurimin e pacientëve me Covid-19

Nga A2 CNN
13 Maj 2020, 16:00 | Bota
Konstatimi i OBSH: Disa trajtime japin rezultat për kurimin e

Organizata Botërore e Shëndetësisë po udhëheq një iniciativë globale për të zhvilluar një vaksinë të sigurt dhe efektive, teste dhe ilaçe për të parandaluar, diagnostikuar dhe trajtuar pacientët me Covid-19.

Sëmundja respiratore ka prekur më shumë se 4 milionë njerëz në të gjithë botën, sipas shifrave që raportohen nga Reuters. OBSH-ja bëri me dije se disa trajtime duket se po kufizojnë ashpërsinë apo kohëzgjatjen e infeksionit dhe se po fokusohet të mësojë më shumë për 5 mënyrat më premtuese.

“Ne kemi disa trajtime, të cilat që në fazat e para të testimit kanë kufizuar ashpërsinë apo kohëzgjatjen e sëmundjes, por ne nuk kemi diçka që mund ta vrasë apo ndalojë virusin. Kemi të dhëna pozitive që na vijnë, por duhet të kemi informacion më tepër për të qenë 100% të sigurt, në mënyrë që të përzgjedhim një trajtim”, u shpreh Margaret Harris, nga OBSH-ja.

Zyrtarja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë nuk emëroi trajtimin. Megjithatë, Gilead Sciences Incorporation, thotë se ilaçi antiviral Remdesivir ka ndihmuar në përmirësimin e pacientëve të prekur nga Covid-19.

Të dhënat klinike të publikuara muajin e kaluar për medikamentin në fjalë rritën shpresat se mund të jetë efektiv në mposhtjen e koronavirusit. Studime të ndryshme të bazuara në kombinimin e ilaçeve antivirale sugjerojnë se mund të ndihmojë të prekurit të luftojnë virusin. OBSH-ja lëshoi dhe një paralajmërim zyrtar për vaksinën duke thënë se do të jetë shumë e vështirë prodhimi i saj, edhe pse më shumë se 100 versione janë në zhvillim, përfshirë disa në fazën e testimit klinik.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos