Surpriza në Premier League, ku Manchester City pëson një humbje të rëndësishme në transfertën ndaj Aston Villas, ndërsa Manchester United zhgënjen sërish, këtë herë përballë Bournemouth.
Skuadra e Pep Guardiolës u mposht 2-1 në Birmingham, në një ndeshje ku protagonist ishte Nicolas Jackson, autor i dy golave për Aston Villën, në minutat 6 dhe 60. Erling Haaland shënoi golin e vetëm për kampionët, por pa mundur të shmangë humbjen. Një rezultat që i kushton Cityt pikë të rëndësishme në garën për kreun.
Arsenali shfrytëzoi hapin fals të rivalëve, duke mposhtur Evertonin 2-0. Gabriel Magalhaes ishte vendimtar për londinezët, të cilët vazhdojnë të mbeten në garën për titullin.
Ndërkohë, alarm i kuq te Manchester United. “Djajtë e Kuq” u mposhtën 3-0 nga Bournemouth në “Old Trafford”. Rayan dhe Marcus Tavernier shënuan në pjesën e parë, ndërsa Evanilson vulosi rezultatin në fraksionin e dytë. Një tjetër goditje për skuadrën e Michael Carrick, që vazhdon të zhgënjejë.
Liverpooli u rikthye te fitorja, duke mposhtur Brightonin 2-0, me golat e Pascal Gross, në portën e tij, dhe Alexander Isak. Ndërkohë, Newcastle fitoi 2-0 ndaj Crystal Palace, Tottenham triumfoi 2-0 në derbin ndaj Chelseat, ndërsa Fulham mposhti Coventryn minimalisht.
Në ndeshjet e tjera, Brentford barazoi 1-1 me Hull Cityn, ndërsa Sunderland dhe Leeds ndanë nga një pikë pas barazimit pa gola.
Në renditje, Manchester City mbetet në krye me 21 pikë, me Arsenalin që e ndjek nga afër. Liverpooli ngjitet në zonën e sipërme të tabelës, ndërsa Manchester United mbetet në krizë, larg objektivave të sezonit. (A2 Televizion)