
“I dashur qytetar ti ke mundësi të përfshihesh në proceset vendimmarrëse të institucioneve shqiptare. Kjo mundësi të jepet nëpërmjet regjistrit elektronik për njoftimin dhe konsultimin publik”
“Konsultimi publik”, një platformë online ku qytetarët dhe ekspertët mund të shprehin opinionin e tyre, duket se nuk po e kryen funksionin e saj siç duhet. Hapësira ku qytetarët mund japin mendimet në dokumentacione të ndryshme, nuk ka pothuajse fare komente të tyre.
Kjo për arsye se qytetarët e njohin pak ose aspak këtë platformë.
“Nuk jemi në dijeni për këtë platformë.”
“Po nuk u takove me popullin nuk mund të japësh vendim as për vendimmarrjen as për drejtësinë e tyre. Në lagje të organizohen takime, kemi ndërmend këtë punë është kështu çfarë mendoni juve si qytetarë. Kështu të veprohet”
“S’ka nevojë për qytetarët janë zyrat kompetente për atë punë i bëjnë ato. S’duhet mendimi i qytetarëve”
“Rinia duhet të jetë e para që të përfshihet në këto platforma, ndërsa ne nëpër lagje”, thanë qytetarët.
Një plotësim i një prej standardeve të Bashkimit Europian dhe jo një mekanizëm funksional që mundëson afrimitetin me qytetarët për marrjen e mendimit, e konsideron politologu, Afrim Krasniqi “Konsultimin Publik”.
“Të gjitha aktet e muajve të fundit janë me zero komente se është e pamundur se kërkon qytetarë të angazhuar dhe që i besojnë sistemit. Nuk kemi një rast të vetëm që kjo strukturë përkatëse të thotë që falenderojmë komentet për këtë çështje. Sistemi vet nuk është bashkëpunues, mirënjohës”, tha Krasniqi.
Pavarësisht se kjo faqe zyrtare u krijua me këtë qëllim, nga ana tjetër vet qeveria në vitin 2022 mori një nismë të ngjashme me 12 pyetje drejtuar qytetarëve, të quajtur Këshilli Kombëtar. Kultivimi i kanabisit, nisma e Ballkanit të Hapur, amnisti e kursimeve të emigrantëve, evazioni fiskal i shoqërive të biznesit të madh etj, ishin disa nga çështjet e përfshira që sipas qeverisë sollën reagimin e rreth gjysmë milioni shqiptarëve.
“Mekanizmi sesi u bë ky konsultim, sesi u detyrua administrata për të dhënë opinion nuk ishte transparente, dhe një ditë të bukur qeveria doli dhe tha nxorëm këto konkluzione duke marrë edhe vendime në fund e duke i përdorur si alibi” të konsultimit publik”, shtoi ai.
Sipas politologut Krasniqi, Shqipëria duhet të ndjek shembullin e shteteve të tjera në të cilat konsultimi publik ka rezultuar me sukses. (A2 Televizion)