
Ndryshimet e ligjit të PPP janë shoqëruar me debate mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës së re në seancën e fundit plenare.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, tha se këto ndryshime jo vetëm do të rrisin transparencën, por do të forcojnë gjithashtu edhe kontrollin e ministrisë në vlerësimin dhe miratimin e kontratave koncesionare.
Nga ana tjetër, deputetët e opozitës janë shprehur skeptikë lidhur me dy kontratat koncensionare të rrugës Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat, duke argumentuar se barra e tyre do të rëndojë xhepat e qytetarëve.
Kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Arben Ahmetaj, deklaroi se ndryshimet e propozuara janë bërë duke marrë parasysh edhe rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Qeveria ka nënshkruar deri në fund të vitit të kaluar 200 kontrata koncesionare. (A2 Televizion)