
Një delegacion rus, i drejtuar nga ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, mbërriti në Korenë e Veriut, ndërsa më vonë pritet t’i bashkohet edhe një delegacion kinez.
Vizitat e rralla, të parat që kur vendi mbylli kufijtë për të frenuar përhapjen e Covid-19, zhvillohen me rastin e 70-vjetorit të fundit të luftës koreane, që shënohet zakonisht nga parada masive ushtarake. Regjimi autoritar i Penianit i rezervoi një mirëseardhje të ngrohtë të dërguarve të Moskës në aeroport.
Përpos pritjes ceremoniale ushtarake, një baner i madh i kuq, shpaloste fjalët: “Mirë se erdhët shoku ministër i Mbrojtjes, Shoigu”, në gjuhët ruse dhe koreane. Më vonë, Shoigu vendosi kurora lulesh pranë monumenteve që përkujtojnë luftën koreane, dhe liderët Kim Jong Il dhe Kim il Sung.
Është ende e paqartë nëse vizitat sinjalizojnë ndryshim të politikave kufitare të Penianit. Shteti komunist e izoloi veten ngatë gjitha lidhjet tregtare dhe diplomatike në fillim të 2020-s, madje edhe me Rusinë dhe Kinën, të cilat janë partnerët kryesore ekonomikë dhe politike. Kjo e përkeqësoi më tej situatën e ekonomike në vend, e rënduar më herët nga sanksionet ndërkombëtare. Që prej shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Rusia ka mbetur një aleate e natyrshme e Koresë së Veriut, për shkak të antipatisë së përbashkët për SHBA-në. Uashingtoni ka akuzuar në fakt Penianin për furnizimin e Rusisë me ndihma ushtarake gjatë luftës në Ukrainë, pretendim të cilin të dyja palët e mohojnë.
Vizita zhvillohet gjithashtu nën sfondin e rritjes së tensioneve gjeopolitike mes SHBA-së dhe Rusisë, dhe krisjes së mëtejshme të marrëdhënieve mes Pekinit dhe Uashingtonit për shkak të Tajvanit. (A2 Televizion)