
Presidenti rus, Vladimir Putin, është ftuar të vizitojë Kinën dhe pritet që ta realizojë vizitën e tij në tetor me rastin e forumit "Një brez, një rrugë".
Lajmin e konfirmoi këshilltari i Kremlinit për politikën e jashtme, Yuri Usakov.
Putin u ftua në Pekin nga homologu i tij kinez Xi Jinping, i cili vizitoi Moskën marsin e kaluar.
"Ne kemi marrë ftesën dhe planifikojmë të shkojmë në Kinë për Forumin Brez dhe Rrugë që do të mbahet në tetor," tha Ushakov, sipas agjencive ruse të lajmeve.
Këshilltari diplomatik i Kremlinit u shpreh gjithashtu se një vizitë e Putinit në Turqi është në planet e të dy vendeve, por ende nuk është rënë dakord për një datë.
Të premten, në Samitin Rusi-Afrikë që do të mbahet në Shën Petersburg, presidenti rus planifikon të diskutojë çështjen e Ukrainës me liderët afrikanë.
Sipas Kremlinit, 49 vende kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në këtë samit të dytë Rusi-Afrikë, pas të parit të mbajtur në tetor 2019 në Soçi në Detin e Zi. Temat që do të diskutohen në samit përfshijnë bashkëpunimin ekonomik, energjinë, sigurinë, arsimin, shëndetin dhe sigurinë ushqimore.
Putin do të flasë në seancën plenare dhe, sipas Ushakov, planifikon të mbajë një "fjalim të gjatë" mbi marrëdhëniet ruso-afrikane dhe "formimin e një rendi të ri botëror". (A2 Televizion)