
Në javët e koronavirusit, niveli i ekonomisë globale do të zbresë në stade që nuk janë bërë realitet, asnjëherë përgjatë kësaj dekade.
Virusi misterioz po godet kërkesën dhe ofertën, duke sfiduar, si rrallëherë qeveritë dhe Bankat Qendrore për kanalet që do të gjejnë për t'i dhënë përgjigje ose një zgjidhje situatës.
Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik me selie në Paris paralajmëroi tkurrje të ekonomisë botërore në tremujorin e parë.
Organizata theksoi se ekzistojnë disa masa që qeveritë munden dhe duhet t’i marrin menjëherë. Këtu përfshihen; mbështetje fiskale për shërbimet shëndetësore, regjime fleksibël të punës me garanci të pagave, ofrimi i likuiditetit në sektorin financiar si dhe mbështetje e shënjestruar për industritë e ndikuara më shumë si turizmi.
E nëse deri dje, pikëpyetjet i kemi ngritur në rang global, sot kemi pyetje për atë çfarë është menduar të ndërmerret nga politika në raport me sipërmarrjen në vendin tonë, të prekur prej orësh nga virusi i rrezikshëm.
Ekonomistët e shohin delikate situatën edhe për shkak se dy vendet më të prekura, janë dy partnerët tregtarë kryesorë të Shqipërisë, Italia dhe Kina. (A2 Televizion)