
Këshilli i Ministrave ka miratuar këtë të enjte projektligjin e ri për donacionet dhe sponsorizimet.
Në projekt-ligj, sipas propozimit që mban firmën e Taulant Ballës dhe Erion Braçes, sponsorizuesit mund të zbresin nga tatimi mbi fitimin deri në 30% të shumës së sponsorizuar, bazuar në tatimin mbi fitimin e vitit paraardhës fiskal.
Për sponsorizimet në natyrë, zbritja do të llogaritet deri në 30% të tatimit mbi fitimin që duhet paguar, sipas rezultatit financiar të vitit pasardhës.
Amendamentet parashikojnë gjithashtu që të ardhurat nga sponsorizimi të jenë të patatueshme për përfituesin dhe të mos ndikojnë në klasifikimin e tij sipas shkallëve tatimore.
Përfitimi i lehtësive do të kushtëzohet nga hartimi, depozitimi dhe miratimi i pasqyrave financiare të vitit paraardhës, ndërsa kriteret e zbatimit do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Projekt-amendamentet parashikojnë edhe të drejtën e sponsorizuesve për të ankimuar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve refuzimin e lehtësive tatimore, brenda 30 ditëve nga komunikimi i vendimit. (A2 Televizion)