Përfaqësues të artit durrsak, por jo vetëm, mbështetur dhe nga Bashkia e qytetit, kanë zgjedhur një formë të veçantë për të realizuar një minikoncert “live” për qytetarët e izoluar në banesat e tyre.
Me praninë e violinistëve babë e bir, Enver dhe Marvin Qerimaj, aktorëve të mirënjohur të humorit Edmond Halili dhe Xhevahir Zeneli, këngëtarëve Eranda Libohova, Kujtim Prodani, Kosta Bonshi etj, banorët e lagjeve të ndryshme të Durrësit, shijuan nga ballkonet e shtëpive të tyre këtë koncert të improvizuar, i ideuar nga poeti Ardi Omeri.
Kryetari i Bashkisë Durrës, Zhuljen Varfi u shpreh se në këto ditë të vështira kreativiteti i artistëve ndihmon qytetarët për ta kaluar disa momente gëzimi duke vallëzuar e buzëqeshur nën tingujt e muzikës. Sot ishte mbrëmja e parë e këtj aktivitet qe do të zhvillohet edhe në ditët në vazhdim në lagje të tjera të qytetit, si një mënyrë për të ndihmuar sado pak qytetarët të kalojnë këtë situatë aspak të lehtë për të gjithë. (A2 Televizion)