Skulptori i njohur, Arben Bajo, ka humbur mëngjesin e të dielës betejën me koronavirusin. i shtruar në spital prej disa ditësh, Bajo nuk ia doli dot kundër Covid-19. Ai ndodhej në gjendje të rëndë dhe i intubuar në Spitalin Infektiv prej disa ditësh. Miqtë e tij bënë apel se 52-vjeçari kishte nevojë urgjente për gjak, por në fund Bajo nuk ia doli.
Veprat e skulptorit janë të shumta. Ai do të mbahet mend si njeriu që “riktheu” Vaçe Zelën në vendlindjen e saj, në Lushnje, përmes një skulpture tepër të arrirë, por edhe shumë punime të tjera.

Bajo lindi në vitin 1967 në Gjirokastër, liceun e kreu në Fier dhe studioi skulpturë në Akademinë e Arteve të Bukura, në Tiranë në vitet 1988-1992.
Skulptori ka jetuar për afro 14 vjet në Greqi, ku bashkëpunoi me muze të ndryshme, për 6 vite ka dhënë edhe mësim në një shkollë private, derisa në 2008-ën u kthye përfundimisht në Shqipëri. Gjatë karrierës, hapi shumë ekspozita personale në Shqipëri dhe jashtë vendit. (A2 Televizion)