
Tifozët u zhgënjyen pas vendimit se Juventus-Inter do të luhej pa spektatorë. Në Itali nuk e pritën mirë qëndrimin e mediave spanjolle, që kërkonin moslejimin e tifozëve të Atalantës në Gadishullin Iberik. Paraqitja e lojtarëve të Ludogoretsit në Milano me maska, po ashtu bëri mjaft bujë.
E megjithatë, futbolli është prekur drejtpërdrejt nga koronavirusi. Në Itali u regjistrua rasti i parë i një futbollisti të prekur nga virusi i ri, COVID-19. Ndonëse identiteti i sportistit nuk është bërë publik, dihet që ai luan në Serie C, kategoria e tretë italiane, në provincën e Sienës. Futbollisti kishte temperaturë përpara ndeshjes dhe u fut me vullnet të lirë në karantinë. Pas vizitave ai rezultoi pozitiv me koronavirus, ndërsa gjendja e tij shëndetësore është përmirësuar.
Mjaft problematike situata në Spanjë, ku virusi po përhapet me shpejtësi. Pas konfirmimit se një tifoz i Valencias ishte prekur nga COVID-19, pasi udhëtoi drejt Milanos për të ndjekur ndeshjen e skuadrës së zemrës me Atalantën, në Champions League, tashmë vjen edhe një tjetër lajm. Në të njëjtin udhëtim në Itali, nga koronavirusi është prekur edhe një gazetar, i cili ishte i pranishëm në “San Siro” për të ndjekur ndeshjen e Valencias.
Gazetari 44-vjeçar, rezultoi pozitiv dhe u transferua me urgjencë në Madrid. Numri i personave të infektuar nga virusi i ri në Spanjë po rritet në mënyrë alarmante, me qytetin e Barcelonës që është pika më e nxehtë prej pasagjerëve të kthyer nga Milano. (A2 Televizion)