Përleshje të ashpra mes policisë greke dhe banorëve të ishullit Lesbos, të cilët kishin dalë në një protestë kundër ndërtimit të një qendre të re për strehimin e emigrantëve.
Sipas dëshmitarëve nga vendngjarja, mbi 500 banorë të ishullit të famshëm grek i prenë rrugën makinerive të rënda, që po shkonin të nisnin punimet për qendrën e re për emigrantët, në vendin e caktuar nga autoritetet.
Kampi i ri që po planifikohet të ndërtohet do të jetë i mbyllur dhe do të zëvendësojë të parin në Moria, i cili ishte planifikuar të strehonte 3000 persona dhe brenda tij, kohët e fundit, jetonin 18 mijë.
Autoritetet greke kanë planifikuar të ndërtojnë objekte të mbyllura për emigrantët në ishujt Lesbos, Chios, Samos, Kos dhe Leros, të cilët ndodhet më pranë Turqisë nga ku mijëra persona nisen çdo vit për të arritur Evropën. (A2 Televizion)