Koronavirusi në Shqipëri, 27 të prekur në 24 orë, 304 në total

Nga A2 CNN
3 Prill 2020, 11:40 | Aktualitet
Koronavirusi në Shqipëri, 27 të prekur në 24 orë, 304

Dita e tretë e prillit shënon numrin më të lartë të të prekurve javën e fundit nga koronavirusi. 27 raste të reja janë konfirmuar me Covid-19, duke e çuar në 304 numrin e të infektuarave në Shqipëri. Pjesa më e madhe e të infektuarve të rinj, janë banorë të Shkodrës, anëtarë të dy familjeve, mes tyre i prekur edhe një fëmijë. Ndërkohë, shkon në 9 numri i fëmijëve të infektuar me Covid-19 dhe gjendja e tyre deri tani paraqitet e mirë.

Mosha mesatare e rasteve pozitive me Covid-19 është 50 vjeç. Aktualisht, në spitalin infektiv janë të shtruar 73 persona dhe 4 në Sanatorium në gjendje më të rënduar shëndetësore. Ndërkohë, orët e fundit është rritur numri i pacientëve të shëruar, duke shkuar në 89 rastet që kanë dalë negative pas prekjes nga koronavirusi.

Deklarata e plotë e Ministrisë së Shëndetësisë

Në vijim të komunikimit të përditshëm, ju bëjmë me dije se vazhdon puna në terren për identifikimin e rasteve të reja dhe gjurmimin e kontakteve të rasteve të konfirmuara pozitive.

Në 24 orët e fundit janë testuar 112 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 27 raste të reja me COVID-19.

Deri në këto momente janë testuar 2031 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 304 raste. Mosha mesatare e rasteve pozitive me COVID-19 është 50 vjeç.

Lajmi i mirë është që gjatë 24 orëve të fundit kemi 13 pacientë të shëruar duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 89.

Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 73 të shtruar. 7 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 2 nga këta janë të intubuar. Pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.

Gjatë orëve të para të mëngjesit janë transportuar në spitalin COVID2 “Shefqet Ndroqi”, 3 paciente nga spitali Infektiv.

Aktualisht në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, i cili do të ndjekë rastet e rënda me insufiçencë respiratore covid pozitiv, janë 4 pacientë të shtruar, 2 prej të cilëve në gjendje të rënduar (të intubuar).

Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 77 pacientë.

Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Durrës, Fier, Kavajë, Lezhë, Mirditë dhe Shkodër.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:

- Tiranë                                 146 raste

- Durrës                                32 raste

- Lushnje                             4 raste

- Elbasan                              8 raste

- Fier                                      25 raste

- Kavajë                                8 raste

- Rrogozhinë                      2 raste

- Korçë                                  16 raste

- Vlorë                                  5 raste

- Shkodër                            22 raste

- Lezhë                                 11 raste

- Berat                                  1 rast

- Has                                      8 raste

- Krujë                                  5 raste

-Tropojë                              4 raste

- Pukë                                   4 raste

- Mirditë                            3 raste

Siç shihet, nga rastet e reja të 24 orëve të fundit, Shkodra ka numrin më të lartë me 12 raste. Këto raste janë identifikuar në dy rrethe familjare, mes tyre është dhe një fëmijë 13-vjeçar, që janë identifikuar falë gjurmimit të rasteve të kryera nga epidemiologët ne terren.

Kjo rritje e numrit të rasteve në Shkodër tregon edhe njëherë mos respektimin e distancimit social dhe masave të kontrollit të infeksionit që Ministria e Shëndetësisë vijon të rekomandojë çdo ditë ne komunikimet publike.

Aktualisht po kryhet hetimi epidemiologjik në terren edhe me një ekip të Institutit të Shëndetit Publik.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. Është po kaq e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye për të parandaluar transmetimin e COVID-19. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos