
Fillimi i javës së pestë që nga përhapja e epidemisë, shënon një ulje të ndjeshme të rasteve të reja me COVID-19. Nga testimet e kryera 24 orët e fundit tek 182 persona të dyshuar, vetëm 6 kanë rezultuar pozitiv.
Për drejtoreshën e sëmundjeve infektive në institutin e Shëndetit publik, Silva Bino, ky është tregues i funksionimit të mire të hetimit epidemiologjik. Nga 383 të infektuar në të gjithë vendin, Tirana ka numrin më të lartë të personave të prekur dhe vatrave të infeksionit.
Bino sqaron se përhapja e virusit është bërë përmes kontakteve dhe lëvizjeve familjare. Mes të prekurve ka edhe gra shtatzëna por gjendja e tyre është e mirë.
Ministria e Shëndetësisë po shikon mundësinë e aplikimit të një testi të ri për diagnostikimin më të mirë të sëmundjes. Ndërsa testimi për imunitetin e popullatës ndaj COVID-19 do të jetë një proces i mëvonshëm.
Ndërkohë, në dy spitalet COVID në Tiranë po marrin trajtim 74 paciente, ku 11 janë në terapi intensive.
Deklarata e plotë e Ministrisë së Shëndetësisë
Në 24 orët e fundit janë testuar 182 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 6 raste të reja me COVID-19.
Deri në këto momente janë testuar 2753 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 383 raste.
Betejën me këtë sëmundje e kanë humbur deri tani 22 qytetarë, megjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të personelit shëndetësor.
Gjatë 24 orëve të fundit, 15 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 131.
Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 67 të shtruar. 5 prej tyre janë në terapi intensive.
Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 7 pacientë të shtruar gjithsej. 6 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 3 pacientë janë të intubuar.
Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 74 pacientë.
Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Elbasan, Korçë.
Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:
- Tiranë 181 raste
- Durrës 38 raste
- Lushnje 5 raste
- Elbasan 11 raste
- Fier 26 raste
- Kavajë 8 raste
- Rrogozhinë 4 raste
- Korçë 17 raste
- Vlorë 5 raste
- Shkodër 44 raste
- Lezhë 14 raste
- Berat 2 raste
- Has 12 raste
- Krujë 5 raste
- Tropojë 4 raste
- Pukë 4 raste
- Mirditë 3 raste
Siç shihet, sot kemi një ulje të ndjeshme të numrit të rasteve të prekurve nga COVID-19 që tregon se hetimi epidemiologjik dhe gjurmimi i rasteve të reja apo kontakteve të tyre ka funksionuar në mënyrën e duhur dhe është kryer sipas protokolleve të përcaktuara.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. Siç e tregojnë edhe shifrat e ditëve të fundit, ku ka raste brenda të njëjtës familje, është e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye për të parandaluar transmetimin e COVID-19.
Ministria e Shëndetësisë; Nëse keni shenja të sëmundjes COVID-19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID-19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40.
(A2 Televizion)