
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu konfirmoi gjatë një takimi me epidemiologët e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Durrës se tashmë në të gjithë vendin ka nisur kryerja e testimit të shpejt për koronavirus.
"Ashtu sikurse jemi zotuar, jo vetëm që kemi mundësuar që testet e shpejta të vijnë në Shqipëri por edhe të jenë sa më shpejt në funksion në të gjithë territorin. Kjo për të ndihmuar edhe në këtë moment të epidemisë, për të kryer sa më shumë testime, për të bërë testin e shpejtë, një alternativë tjetër të re e cila siguron kufizimin e përhapjes së infeksionit dhe sigurisht një mënyrë shumë më e lehtë për qytetarët për të marrë një përgjigje në një kohë shumë më të shpejtë", u shpreh Manastirliu.
Duke folur për vaksinën antiCOVID, Ministrja Manastirliu nënvizoi se po bëhen të gjitha përpjekjet për sigurimin në të vaksinës në kohë, për të gjitha grupet e riskut.
"Jemi duke punuar për ta pasur në një kohë sa më të shpejtë vaksinën e sigurt, për ta aksesuar dhe për të qenë punonjësit e sistemit shëndetësor të parët ata që do të kenë mundësinë të vaksinohen me vaksinën antiCovid, në momentin që ajo të jetë e disponueshme dhe të plotësojë të gjithë parametrat e sigurisë. Ne po përpiqemi fort që ta kemi në një kohë sa më të shpejtë të mundur për të filluar me vaksinimin e grupeve më të riskuar, dhe sigurisht më pas për ta garantuar për të gjithë popullatën", tha Manastirliu. (A2 Televizion)