
Për afro 3 orë, kryeqyteti nuk gjeti qetësi. Protesta për Klodian Rashën vijoi me të njëjtat tensione si në ditën e parë të saj.
Qindra protestues u mblodhën pranë Ministrisë së Brendshme, për të mbajtur për të dytën herë revoltën e tyre. Edhe këtë herë, gazi lotsjellës nuk u kursye ndaj tyre, teksa janë nevojitur edhe autobotet me presion të lartë uji për shpërndarjen e turmës.
Protestuesit kanë djegur dhe shkatërruar objektet e pastrimit që gjendeshin në rrugë si dhe kanë dëmtuar semaforë dhe shtyllat ndriçuese përgjatë segmenteve që e përshkonin.
Dorëheqja e ministrit Sandër Lleshaj, një nga kërkesat e protestuesve, nuk i ka tërhequr këta të fundit nga revolta e nisur. Policia shoqëroi dhjetëra të rinj pas rezistencës së vazhdueshme të tyre si dhe dhunës së ushtruar ndaj uniformave blu.
Gjithçka nisi të qetësohej sapo ora policore u afrua. (A2 Televizion)