
Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se ka shkuar në 400 numri i personave të prekur nga koronavirusi në Shqipëri.
Gjatë 24 orëve të fundit kanë rezultuar pozitiv 17 raste, ndërsa janë kryer 236 teste. Deri tani kanë ndërruar jetë 22 persona, ndërsa 154 janë shëruar.
Në përditësimin e fundit të të dhënave, drejtorja e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, tha se në total janë testuar për virusin 2989 persona. Te spitali Infektiv dhe te COVID-2 në Senatorium po kurohen 58 të infektuar. Fico ripërsëriti thirrjen për zbatim të rregullave dhe mbajtjen e distancës.
Deklarata e Ministrisë së Shëndetësisë
Në 24 orët e fundit janë testuar 236 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 17 raste të reja me COVID-19.
Deri në këto momente janë testuar 2989 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 400 raste.
Betejën me këtë sëmundje e kanë humbur deri tani 22 qytetarë, megjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të personelit shëndetësor.
Gjatë 24 orëve të fundit, 23 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 154.
Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 52 të shtruar. 5 prej tyre janë në terapi intensive.
Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 6 pacientë të shtruar gjithsej. Nga këta 5 pacientë janë në terapi intensive, 1 në pavion, ndërsa 4 pacientë janë të intubuar.
Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 58 pacientë.
Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë me 9 raste, Elbasan 1 rast, Fier 6 raste dhe Shkodër 1 rast.
Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:
- Tiranë 190 raste
- Durrës 38 raste
- Lushnje 5 raste
- Elbasan 12 raste
- Fier 32 raste
- Kavajë 8 raste
- Rrogozhinë 4 raste
- Korçë 17 raste
- Vlorë 5 raste
- Shkodër 45 raste
- Lezhë 14 raste
- Berat 2 raste
- Has 12 raste
- Krujë 5 raste
- Tropojë 4 raste
- Pukë 4 raste
- Mirditë 3 raste
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. Siç e tregojnë edhe shifrat e ditëve të fundit, ku ka raste brenda të njëjtës familje, është e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye për të parandaluar transmetimin e COVID-19.
Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40. (A2 Televizion)