“Korrektësia, suksesi ynë”, 18 deri në 26 mijë euro rruga nga Shqipëria në Angli me kamion, “Daily Mail” nxjerr pamjet

Nga A2 CNN
21 Janar 2023, 08:58 | Aktualitet

Mediat britanike vijojnë të flasin pothuajse çdo ditë për shqiptarët. Së fundmi, ka qenë prestigjiozja “Daily Mail”, e cila me anë të fotove dhe videove tregon mënyrat sesi shqiptarët po “ftojnë” nëpërmjet rrjeteve sociale bashkatdhetarët e tyre për t’i dërguar në mënyrë të jashtëligjshme, por 100 për qind të sigurt, në Angli.

Sipas prestigjiozes angleze, shqiptarët vijojnë të pa shqetësuar që të reklamojnë “biznesin” e tyre në rrjetet sociale, e kryesisht në “Tik-Tok”, duke treguar datat e nisjes dhe detaje të tjera.

Në artikullin e botuar së fundmi, janë shfaqur disa postime të shqiptarëve në rrjetet sociale, ku thuhet se kërkojnë deri në 18 mijë paund për kalimin e sigurt drejt Britanisë, jo me gomone, por me kamionë.

“Ndryshe nga gomonet që kanë një vëmendje të shtuar gjatë kohëve të fundit, kalimi me kamion është më i lehtë”, shkruan Daily Mail.

Një person i paidentifikuar, pjesë e stafit të “Daily Mail”, i ka dërguar mesazh kësaj llogarie në Tik-Tok, duke i kërkuar një udhëtim për 2 persona. Çmimi i udhëtimit është 26 mijë paund. Ndërkohë një tjetër trafikant ofron udhëtime me avion me pasaporta të falsifikuara.

Pasi i publikojnë këto postime, ato fshihen brenda disa ditësh për të humbur gjurmët. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos