
Prokurorët e SPAK-ut kanë marrë në dorë dosjen në ngarkim të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.
Burime zyrtare të SPAK, konfirmuan për A2 CNN, mbërritjen e akteve nga Prokuroria e Vlorës dhe regjistrimin e procedimit penal ndaj Belerit, për akuzën e “korrupsionit aktiv në zgjedhje”, në bashkëpunim.
Brenda 10 ditësh, GJKKO do të rivlerësojë masën e sigurisë “arrest në burg”, dhënë më herët nga Gjykata e Vlorës.
Fredi Beleri, kandidati i koalicionit “Bashkë fitojmë”, në zgjedhjet e 14 majit, u arrestua në minutat e para të 12 majit, për akuzën e “korrupsionit aktiv në zgjedhje”. Sipas Prokurorisë së Vlorës, Beleri ka dhënë dhe premtuar shuma monetare personave të ndryshëm, me qëllim blerjen e votës.
Akuza ndaj tij u mbështet në disa filmime dhe përgjime mes tij dhe një të infiltruari, të cilit iu premtuan 400 mijë lekë të vjetër për 8 vota. Avokati i Belerit pretendoi se akuzat ndaj klientit të tij janë të montuara dhe të motivuara politikisht. (A2 Televizion)