
Në ditën e dytë të funksionimit të saj, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm vendosi të lirojë nga qelitë e paraburgimit dy zyrtarë të Ministrisë së Financave, të akuzuar për abuzimin me 1,2 milionë euro në buxhetin e shtetit.
Me vendim të një kolegji penal, masa e sigurisë “arrest në burg” ndryshoi në atë të “arrestit në shtëpi” për ish-sekretarin e përgjithshëm të kësaj ministrie, Arlind Gjokutaj, për drejtorin juridik, Fatmir Hoxha, por edhe për të dyshuarin e tretë të dosjes, përmbaruesin Alban Ruli.
Lehtësimi i masës së sigurisë për dy zyrtarët dhe përmbaruesin e akuzuar për shpërdorim të detyrës u kërkua jo vetëm nga avokatët e tyre, por edhe nga përfaqësuesi i prokurorisë së Apelit. Vendimi i Apelit, i shkoi për shtat pretendimit të avokatë vepër akuzë të pabazuar dhe pafajësi të klientëve të tyre.
“Masa e sigurimit e marrë nga shkalla e parë ishte jo proporcionale, jo ligjore, jo e saktë. Organi i hetimit shpesh herë gabon kur vendos akuza të tilla të rënda siç është “shpërdorimi i detyrës” kur këto akte të prodhuara nga administrata nuk sjellin pasojë. Ne jemi të bindur në pafajësinë e të mbrojturit prej nesh”, tha Hazizaj.
Sipas Prokurorisë së kryeqytetit, zyrtarët e financave, të arrestuar me 11 janar, kanë lejuar shpërblimin në 1,2 milionë euro nga buxheti i shtetit të Ilir Thanës, si ish-pronar, për një pronë shtetërore, që nuk i përkiste. Referuar akteve, ne qershor të vitit të kaluar ishin lëvruar 48,4 milionë lekë nga kjo shumë, 23 nga të cilat ishin tërhequr nga Thana. Prokuroria pretendon se zyrtarët e ministrisë ishin vënë në dijeni nga një memo se ai ishte shpërblyer një herë në vitin 2015. Në një proces paralel Apeli refuzoi kërkesën e Ilir Thanës për lirin nga qelia, duke lënë të pandryshuar masën “arrest në burg” ndaj tij. (A2 Televizion)