Korrupsion në Ministrinë e Shëndetësisë, SPAK dërgon për gjykim 4 persona

Nga A2 CNN
17 Korrik 2023, 12:01 | Kronikë
Korrupsion në Ministrinë e Shëndetësisë, SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dërguar çështjen për gjykim në ngarkim të 4 pandehurve, mes të cilëve edhe Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë.

“Nga aktet e administruara ka rezultuar se e pandehura Joana Duro, me funksionin e lartë shtetëror, Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ka përfituar në mënyrë të parregullt vlerën monetare prej 330.000 (treqind e tridhjetë mijë) mijë lekë për të favorizuar shoqërinë “Dricons” sh.p.k, e cila ka fituar fazën e parë të tenderit të shpallur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për LOT 1,“Supervizim për rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në Qarqet Tiranë dhe Durrës, me fond limit 805.872 lekë”. Nga hetimi me metoda speciale është dokumentuar fakti i dërgimit të shumës së parave prej 330.000 (treqind e tridhjetë mijë) lekë nga ana e të pandehurës Laura Shteto tek e pandehura Joana Duro, kjo e fundit me detyrë Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Kjo shumë parash i është dorëzuar të pandehurës Joana Duro në zyrën e saj në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ku dhe është bërë kapja në flagrancë e saj dhe sekuestrimi i kësaj shume monetare. Nga hetimi ka rezultuar e provuar se se kjo shumë parash është dhënë si përfitim i parregullt nga i pandehuri Vladimir Topi, me detyrë administrator i operatorit ekonomik “Dricons” sh.p.k, i cili ka përfituar në mënyrë të paligjshme nga tenderi i zhvilluar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale”, lexohet në njoftimin e SPAK-ut.

Gjithashtu, rezulton se i pandehuri Silvi Shehi, me detyrë inxhinier pranë operatorit ekonomik “Dricons” sh.p.k, pas komunikimit me administratorin e kësaj shoqërie, të pandehurin Vladimir Topi, ka marrë shumën e parave prej 330.000 (treqind e tridhjetë mijë ) lekë nga i pandehuri Vladimir Topi dhe ia ka dërguar të pandehurës Laura Shteto, e cila më pas i ka dërguar tek Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Joana Duro, kjo e fundit e kapur në flagrancë me shumën e vlerës monetare të përfituar në mënyrë të parregullt. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos