Korrupsioni në AMA, dërgohet për gjykim çështja në ngarkim të 7 personave

Nga A2 CNN
31 Maj 2022, 15:54 | Kronikë
Korrupsioni në AMA, dërgohet për gjykim çështja

Prokuroria e  Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka përfunduar hetimet dhe  ka dërguar për gjykim procedimin penal në ngarkim të 7 personave, të akuzuar si të përfshirë në një rast korrupsioni me Autoritetin e Mediave Audiovizive. Personat fillimisht u arrestuan në qershor 2019, gjatë operacionit “Forca e Ligjit” në Elbasan.

“Nga sa ka rezultuar nga hetimet, pronarët e televizioneve kabllorë në Qytetin e Elbasanit, ushtronin veprimtarinë e transmetimit të televizioneve kabllore pa autorizim paraprak nga Autoriteti i  Mediave Audiovizive, në  shkelje të të drejtave të autorit”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Burime të A2 CNN mësuan se të akuzuar kanë ndikuar në marrjen e një licence të televizionit kabllor në Elbasan i cili zotërohej nga fisi Çapja.

“Nëpërmjet pagesave që u bënin Zyrtarëve te Autoritetit të Mediave Audiovizive, apo pagesave që u bënin ndërmjetësve të cilët premtonin ndërhyrjen tek zyrtarët e Autoritetit të Mediave Audiovizive, këta operatore të transmetimit të televizioneve kabllorë, vijonin veprimtarinë e transmetimit të kanaleve,  pa lidhur kontratat përkatëse me mbajtësit e të drejtave të autorit, dhe pa autorizim nga Autoriteti i Mediave Audiovizive”, tha SPAK.

Në përfundim të fazës hetimore, janë marrë të pandehur dhe është kërkuar dërgimi i çështjes për gjykim për shtetasit:

1. Izmir Hajdari, punonjës pranë Autoritetit të Mediave Audiovizive, i akuzuar për kryerjen e figurës së veprës penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal;

2. Suela Musta, me detyrë anëtare e Bordit të Autoritetit të Mediave Audiovizive,  e akuzuar për kryerjen e figurës së veprës penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm të personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim,  parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi 2 dhe 25 të Kodit Penal;

3. Andrea Nathanaili, i akuzuar për kryerjen e figurës së veprës penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm të personave që ushtrojnë funksione publike”  e  kryer në bashkëpunim,  parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi 2  dhe 25 të  Kodit Penal;

4. Bledar Karaj, Artan Drazhi, Adem Boriçi dhe Shkëlqim Sula, pronarë/administratorë të operatorëve të transmetimit të televizioneve kabllorë, apo  punonjës pranë këtyre operatorëve, të akuzuar për kryerjen e figurave të veprave penale të “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione  publike” e kryer në bashkëpunim, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm të personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim dhe “Shkelja e të drejtave të autorit” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 244 dhe 25, 245/1 paragrafi 1 dhe 25,  dhe 149 paragrafi 2 i Kodit Penal;

Ndërkohë është kërkuar në gjykatë, pushimi i procedimit penal, në ngarkim të personit nën hetim Ervin Tahiri, pasi nuk u provuan akuzat e sipërcituara në ngarkim të tij.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos