
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë doli në një konferencë për shtyp mbrëmjen e djeshme në skadim të afatit për subjektet politike që do të regjistrohen për të marrë pjesë në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Zëdhënësi i këtij institucioni bëri me dije mes të tjerash se në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë do të marrin pjesë 21 parti politike, 2 koalicione parazgjedhore dhe 5 iniciativa kosovare. Gjithashtu, kandidojnë për një vend në Kuvendin e ardhshëm 1079 persona.
Përpara se të miratohen listat e kandidatëve në KQZ, secili prej tyre do të verifikohet nëse plotëson kushtet.
“KQZ-ja do të dërgojë kërkesë për verifikim nëse kandidatët janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme dhe këtë kërkesë do ta dërgojë në gjashtë institucione: në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, në Ministri të Punëve të Brendshme, në Agjenci të Kosovës për Inteligjencë, në Ministrinë e Jashtme dhe atë të Mbrojtjes”, tha zëdhënësi i KQZ, Elezi. (A2 Televizion)