
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mendon se marrja e statusit të vendit kandidat do të kërkojë një hark kohor prej 9 vitesh. Në një intervistë për A2 CNN, kreu i ekzekutivit kosovar foli edhe për tensionet në veri dhe dialogun me Beogradin, ku shprehet se arritja e marrëveshjes finale është çështje muajsh.
“Ka shumë rrugë përpara, por ky hap është tejet i vlefshëm”.
Kosova hapi korsinë e dytë të rrugës për në Bruksel. Nëse deri më tani rruga drejt kryeqytetit europian lidhej me dialogun me Serbinë, shteti më i ri në “Kontinentin e Vjetër” kërkon të bëhet pjesë e familjes së madhe europiane. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për A2 CNN, rrëfen procesin me të cilin tashmë do të ballafaqohen institucionet kosovare për të përmbushur kërkesat e reja që do të vijnë nga BE-ja për të marrë statusin e vendit kandidat dhe kohës që mendon se i duhet vendit të tij për të arritur këtë etapë të re në rrugëtimin integrues.
“Është hapi i parë inaugurues i një procesi të gjatë që vendeve të ndryshme u ka zgjatur nga 3 vjet deri në 14 vjet. Mesatarja është 9 vite, besojmë që është e arsyeshme që në Republikën e Kosovës ta synojmë këtë mesatare”, tha Kurti.
Koshient se kjo kërkesë nuk mund të aprovohet përveçse unanimisht nga të gjithë vendet e unionit, mes të cilave edhe 5 shtete që nuk e njohin pavarësinë e saj, Kurti shprehet se Kosova kërkon të përqafojë vlerat e BE-së, ndaj s’ka pse të ketë pengesa: “Unë besoj se Spanja, Sllovakia, Greqia, Qiproja dhe Rumania do ta kuptojnë edhe më shumë rëndësinë e njohjes së Kosovës tani, kur e dinë që nuk e duam pavarësinë vetëm si pavarësi nga Serbia apo pavarësi për vetvete, por edhe si pavarësi për t’u bërë pjesë e BE”.
Nëse për marrjen e statusit të vendit kandidat kërkohet kohë, diçka më të shpejtë mendon se do të ndodhë në raport me Serbinë: “Qënia jonë është normale, raporti jonë më fqinjët nuk është normal dhe ky raport normalizohet me njohje reciproke. Arritja e një marrëveshjeje finale besoj se është çështje muajsh”.
Ky optimizën i kryeministrit kosovar duket se bie ndesh me atë se çfarë po ndodh në veriun e Kosovës: “Ato barrikada duhet të hiqen. Janë barrikada të grupeve kriminale të armatosura, krerët e të cilëve kanë fletë-arreste nga Policia e Kosovës dhe janë në listën e zezë të Thesarit amerikan”.
Në lidhje me asosacionin e komunave me shumicë serbe, kryeministri kosovar mendon se kjo çështje mund të bëhet pjesë e tryezës së dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. (A2 Televizion)