Kosova aplikon në BE, Hoxhaj: Dilema është koordinimi i shteteve kyçe për ta futur në agjendë

Nga A2 CNN
15 Dhjetor 2022, 20:38 | Kosova
Kosova aplikon në BE, Hoxhaj: Dilema është koordinimi i shteteve

Dilema kryesore pas aplikimit të Kosovës në Bashkimin Europian, është koordinimi i shteteve kyçe të BE-së, jo vetëm atyre që nuk e kanë njohur atë, por edhe i shteteve vendimmarrëse. Kështu u shpreh ish-ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj, në një lidhje në studion e Debatit në A2 CNN, sipas të cilit aplikimi është hapi i duhur dhe i drejtë.

“Hap i duhur dhe i drejtë që Kosova aplikon për t’u bërë shtet anëtar. Është aspiratë historike. Por përtej kësaj, dilema kryesore është që ky aplikim mund të koordinohet me shtetet kyçe, jo vetëm ato që nuk e kanë njohur Kosovën, por edhe shtete si Gjermania, Franca. Është hap i drejtë dhe na mbetet shumë punë për t’u bërë”.

Për Hoxhajn, përgjigjja e plotë për aplikimin e Kosovës dhe futjen e kërkesës në agjendë do të shihet gjatë vitit 2023, me presidencën e Suedisë, skeptike për zgjerimin dhe Spanjën që ende nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur. Ai thekson se Parisi kohët e fundit po lexon rajonin e Ballkanit.

“Procedurat janë të natyrës formale. Presidenca çeke informon shtetet anëtarë dhe institucionet e tjera të BE, por e rëndësishme është se çdo ndodhë në 2023 se gjysmën e parë të presidencës e ka Suedia, e cila ka një parti të re që ka fituar zgjedhjet dhe është skeptike për zgjerimin e BE. Pas Suedisë është Spanja. Kështu që për këtë çështje sa politike, ligjore e burokratike se deri kur do arrijë kërkesa e Kosovës përgjigjen e plotë e merrni gjatë 2023. E di sa komplekse do të jetë një çështje e tillë. Parisi kohët e fundit po lexon rajonin e Ballkanit. Shteti i parë që mund të anëtarësohet në BE është në 2030 ka një lodhje të zgjerimit, ka një situatë ligjore mes Kosovës e BE se 5 vende nuk e kanë njohur dhe një diplomaci e mençur duhet të bindte të gjithë shtete anëtare dhe të gjente një shtet mik që do ta mbikëqyrte”.

Referuar deklaratave të presidentit serb Aleksandër Vuçiç, Hoxhaj thotë se në këto kushte BE dhe SHBA duhet të qartësojnë raportin me Serbinë e Ballkanin.

“Nuk dallon nga gjuha e Putinit para dhe pas luftës në Ukrainë. Vuçiç me këtë deklaratë mohon të drejtën tonë për të qenë shtete sovran dhe të pavarur, por kjo çështje ka të bëjë me një qartësi europiane dhe amerikane në raport me Serbinë e Ballkanin. Meqë Serbia ka nënshkruar marrëveshjen e prillit 2013 dhe marrëveshjen e Uashingtonit kur thuhet se asnjë palë nuk bllokon njëra tjetërn në integrimin europian. Ka rikthim të fashizmit serb dhe një deklaratë e tillë me shumë i ngjan Millosheviçit 1992 sesa një presidenti serb në 2022. Marrëveshja e Uashingtonit i referohet organizmave ndërkombëtare, por e tërë marrëveshja ka ridimension gjeopolitik dhe ai dimension ka të bëjë me pengimin rus e kinez në Ballkan dhe e vetmja mënyrë për ta bërë Ballkanin më europian është zgjerimi i shteteve; Kosovës e Bosnjës në NATO. Kjo gjuhë tregon se Serbia jeton të kaluarën dhe për Serbinë e kaluara është e ardhme. Këtu kërkohet qartësi nga BE dhe SHBA”.

Hoxhaj thekson se tensionet në veri të Kosovës, situata në Bosnjë e Mal të zi në prag të shpërthimit janë pasojë e dështimit të BE që të zgjerohet drejt Ballkanit.

“Dialogu Kosovë-serbi çdo herë është parë në kontekstin e zgjerimit të BE. Edhe kriza e fundit në veri të vendit dhe rikthimi i një Serbie revanshiste, tensionet në Bosnjë dhe ajo që po ndodh në Mal të Zi, ku situata është në prag të shpërthimit janë pasojë e dështimit të BE që të zgjerohet drejt Ballkanit. Se po të ishte e kundërta do të kishte një shpresë tjetër”.

Ish kreu i diplomacisë kosovare e sheh të vështirë anëtarësimin e Kosovës në OKB, pasi sipas tij Rusia dhe kina do të vinin veton.

“Kosova do të duhej ta ripoziciononte veten në raport me partnerët tanë perëndimorë edhe nëse do ketë marrëveshje Kosovë-Serbi me njohje të ndërsjellë e shoh të vështirë anëtarësimin e Kosovës në OKB se Kina dhe Rusia do ta bllokojnë anëtarësimin e saj dhe në këtë drejtim mendoj që aplikimi për anëtarësim në BE e NATO duhet të ishte një ripozicionim i Kosovës në situatën aktuale gjeopolitike dhe duhet të ketë koordinim me partnerët perëndimorë”.

Ndërkohë analisti Aleksandër Çipa e shikon si avantazh aplikimin e Kosovës në BE, në kushtet e situatës gjeopolitike dhe qasjes së Serbisë ndaj Rusisë dhe Europës.

“Do të duhet kohë e gjatë por një avantazh është situtata gjeopolitke dhe interesi përbashkues i perëndimit me Europën e sotme thotë një klimë pozitive për procesin e Kosovës parë në kontekstin e qasjes së Serbisë me Europën e Rusinë  dhe kjo është avantazh për Kosovën, veçse duhet një strategji e mirëmenduar që kërkon bashkimin e faktorit politik dhe rritjen e kapaciteteve institucionale të Kosovës”.  

(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos