Kurti: Barrikadat duhet të hiqen. Marrëveshja, çështje muajsh

Nga A2 CNN
15 Dhjetor 2022, 20:02 | Kosova
Kurti: Barrikadat duhet të hiqen. Marrëveshja, çështje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë ekskluzive për A2 CNN, theksoi se barrikadat në veri duhet të hiqen.

“Barrikadat në veri nuk janë shprehje fuqie, por pafuqie. Ato barrikada duhet të hiqen. Ne i kemi dhënë disa kohë KFOR-it që t’i heqë. Ministri i Brendshëm është në kontakt të vazhdueshëm edhe me KFOR-in dhe me EULEX-in që të hiqen këto barrikada që nuk janë civile, por janë të grupeve kriminale të armatosura, krerët e të cilëve kanë fletë-arreste nga Republika e Kosovës dhe ndodhen në listën e zezë të Thesarit amerikan. Sa më parë që të hiqen, do të jetë më mirë për Kosovën, por edhe për qytetarët serbë”, tha Kurti.

“Serbët nuk mund të lejojnë që të përdoren si instrument nga Beogradi për aspirata hegjemonike dhe nga ana tjetër, te qeveria e Kosovës, ata kanë garancinë e të drejtave të tyre dhe veshin që dëgjon të gjitha kërkesat që ata mund të kenë. Unë nuk jam kryeministër vetëm i shqiptarëve, unë jam i të gjithë qytetarëve të republikës, pa dallim etnie, moshe, gjinie dhe feje. Por, nuk mund ta kompensojmë Beogradin për humbjet që ia ka shkaktuar Millosheviçi me politikën e tij gjenocidale. Nganjëherë dëshirojnë të kthehen para shpalljes së pavarësisë në vitin 2007, nganjëherë dëshirojnë të kthehen para çlirimit të Kosovës në vitin 1998 apo 1999. Asnjë prej këtyre nuk është e mundur. Sa më parë që të ndërgjegjësohen për këtë gjë, aq më mirë do të jetë për vetë ata mbi të gjitha. Kjo histeria në Beograd duhet të marrë fund dhe të kemi kështu një normalizim politik e shoqëror ndërmjet dy shteteve”, shtoi Kurti.

Sipas tij, një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet brenda pak muajsh.

“Me mirëbesim në njërën anë dhe qëllim të mirë nga ana tjetër, pak muaj nevojiten për një marrëveshje. Besoj se nuk duhen vite, por pak muaj. Duhet një përfshirje sa më e madhe e Brukselit dhe Uashingtonit, në veçanti karshi Beogradit, që fatkeqësisht nuk po distancohet as nga Millosheviçi dhe as nga Putini”, deklaroi Kurti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos