
Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Europian shkel marrëveshjen e Uashingtonit. Ky ishte reagimi I presidentit serb Aleksandar Vuçiç, pasi kryeministri Albin Kurti, dorëzoi kërkesën për anëtarësim në Pragë. Vuçiç tha se përgjigja e Beogradit do të vinte mbrëmjen e sotme, pas mbledhjes së qeverisë.
“Sot, ata shkelën zyrtarisht marrëveshjen e Uashingtonit dhe përgjigja jonë do të vijë mbrëmjen e sotme, pas mbledhjes së qeverisë. Ne po ashtu do të marrim përgjigje sa i përket kërkesës sonë lidhur me Rezolutën 1244, por edhe për tërheqjen e njohjes së Kosovës nga shumë shtete. Kushti për të qenë në gjendje për të aplikuar për anëtarësim në BE është që të jesh shtet evropian. Nuk e di se çfarë kriteri përdoret për të përcaktuar se çfarë nënkuptojmë me të qenit shtet, a i referohet një shteti të BE-së apo të gjitha shteteve të BE-së, apo anëtarësimit në Kombet e Bashkuara”, tha Vuçiç.
I pyetur nga A2 CNN lidhur me këto deklarata, kryeministri Albin Kurti u shpreh se Kosova dhe Serbia janë dy shtete të ndryshme, të cilat duhet vetëm të normalizojnë raportet mes tyre dhe kjo duhet të bëhet nëpërmjet njohjes së ndërsjellë, si e vetmja rrugë për të ecur përpara.
"Ne jemi dy shtete fqinje që kanë nevojë t’i normalizojnë raportet mes tyre dhe kjo duhet të shkojë nëpërmjet njohjes së ndërsjellë. Ne duam të ecim përpara, ndërsa Beogradi fatkeqësisht kërkon të kthehet në të kaluarën", tha ai. (A2 Televizion)